U.D. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, u mirëpritën në takim nga Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Prof. Dr. Bekim Fetaji.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional, u diskutua për ngritjen e mekanizmave të përbashkëta të bashkëpunimit, përmes të cilave OEMVP do të përfshihet në procesin e hartimit të programeve të reja mësimore në të gjitha fakultetet e Universitetit “Nënë Tereza”.
Po ashtu, palët potencuan organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet OEMVP dhe Universitetit “Nënë Tereza”, duke përfshirë trajnime, panaire dhe iniciativa të tjera që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ky bashkëpunim synon të krijojë ura të qëndrueshme ndërmjet komunitetit akademik dhe sektorit privat, duke mundësuar realizimin e praktikave profesionale për studentët në kompanitë anëtare të OEMVP-së, organizimin e Panaireve të Biznesit dhe “Ditëve të Inovacionit” për nxitjen e sipërmarrjes, si dhe shfrytëzimin e kërkimeve dhe punimeve shkencore të studentëve të ciklit të dytë (Master) si zgjidhje konkrete për adresimin e sfidave reale të industrisë.
OEMVP theksoi kontributin e saj në zhvillimin e arsimit dhe shpreh gatishmërinë për të qenë një partner aktiv në bashkëpunimin me Universitetin, duke ofruar ekspertizë dhe mbështetje praktike për realizimin e projekteve të përbashkëta që lidhin arsimin me nevojat e tregut të punës.






