Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore prezanton instrumentin e ri financiar – linjën kreditore EIB7 për mbështetje të NVM-ve dhe kompanive me kapital të mesëm të tregut, duke inkurajuar tranzicionin e gjelbër
23.09.2024, Shkup – Në vazhdën e mbështetjes së zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe nxitjes së inovacionit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi me sukses ditë të hapur dedikuar promovimit të Instrumentit të ri financiar – Linja Kreditore EIB 7. Ky aktivitet, i organizuar në bashkëpunim me përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime (EIB) dhe ekspertë të industrisë financiare, mblodhi kompanitë anëtare të OEMVP-së, me qëllim informimin e detajuar rreth mundësive që ofron kjo linjë kreditore. Qëllimi i këtij instrumenti financiar në vlerë prej 100 milionë euro është për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) si dhe kompanitë me kapital të mesëm, për të përmbushur nevojat e tyre për kapital qarkullues dhe investime.
Kompanitë anëtare të OEMVP-së patën mundësinë të informohen në detaje mbi normën e interesit të favorshme deri në 3.5% në vit për përdoruesit e fundit, e cila është një mundësi e shkëlqyer për ata që kërkojnë të investojnë në projekte të gjelbra, si dhe në zgjerimin e kapaciteteve të tyre. Kjo do të ndihmojë jo vetëm në përmirësimin e performancës financiare të kompanive, por edhe në rritjen e efikasitetit energjetik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin e teknologjisë së energjisë së pastër.
Pjesë e këtij instrumenti financiar janë edhe projektet që përfshijnë panelet diellore dhe fotovoltaikët, sistemet e ruajtjes së energjisë, të cilat kanë potencial të madh për zhvillimin e tregut të energjisë së rinovueshme në Maqedoninë e Veriut.
Prezantues në këtë ditë të hapur ishin: Kryetari i Grupacionit të ndërtimtarisë, urbanizmit dhe mjedisit dhe energjetikës z. Sami Morina, z. Lovre Ristevski, z. Sime Pejoski , si dhe z. Igor Mickoski. Gjatë info-sesionit, prezantuesit theksuan rëndësinë e këtyre teknologjive për të ulur varësinë nga burimet tradicionale të energjisë, duke folur për rëndësinë dhe rreziqet e energjisë diellore në bizneset lokale, zgjidhje të synuara për energjinë diellore dhe ruajtjen në bateri, zgjidhje për financim, si dhe u normat evropiane të raportim të qëndrueshmëri (ESRs).
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbetet e përkushtuar për tu ofruar mbështetje kompanive anëtare, duke i informuar vazhdimisht për mundësitë në qasje në financa, qasje të cilat promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe tranzicionin e gjelbër.