16.09.2025 – Në hapësirat e OEMVP, U.D. Kryetar i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, dhe Menaxherja Operative, Miranda Ajdini, mirëpritën në takim Drejtorin komercial z. Avni Saliu dhe Drejtorin e eksportit dhe zhvillim të tregut, z. Sokol Zekiri nga kompania Neho Ice Cream. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja nga afër me historinë, vizionin dhe planet zhvillimore të kompanisë, si dhe mbështetja e OEMVP drejt sektorit të biznesit.
Neho Ice Cream është një histori suksesi që filloi si biznes familjar dhe sot është shndërruar në një kompani moderne e cila ofron mbi 80 produkte të ndryshme akulloresh. Pasioni për cilësinë dhe inovacionin e ka bërë këtë markë të jetë një nga më të njohurat në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Në vitin 2024, mbi 60% e prodhimit të Neho-s eksportohet në tregje rajonale dhe evropiane, duke e bërë këtë kompani një ambasador të vërtetë të shijes dhe cilësisë vendore në tregjet jashtë kufijve.
Kompania Neho ka investuar në linja të avancuara prodhimi dhe në kapacitete të reja magazinimi, duke synuar përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë ushqimore (IFS). Ky përkushtim i ka mundësuar kompanisë të garantojë produkte premium dhe të hapë rrugë drejt bashkëpunimeve me partnerë të rinj.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbetet e përkushtuar në mbështetjen e vazhdueshme të anëtarëve të saj, duke krijuar mundësi për rrjetëzim, partneritete të reja dhe përfaqësim dinjitoz të interesave të tyre në nivel vendor dhe ndërkombëtar.






