22 Tetor 2016 – Nën organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Odën Ekonomike Maqedoni-Bullgari dhe me mbështetje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Çairit sot u mbajt manifestimi i tretë “Qebapi – margaritari i Çarshisë dhe bashkëjetesës” qëllimi i të cilit është që me projekte të biznesit dhe ato kulturore të kthehet shkëlqimi i njërës prej hapësirave më autentike të kryeqytetit – Çarshia e Shkupit si vendi i esnafit dhe bashkëjetesës.
Në fjalimin e tij kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha tha se që nga shekulli XI kur u vendosën themelet e Çarshisë, këtu kryqëzohen kultura dhe civilizime, religjione dhe tradita, dhe është dëshmi e gjallë për funksionimin e multikulturës në vendin tonë. Çarshia e Vjetër e Shkupit është zemra e Komunës së Çairit dhe pjesa e saj më vitale nga aspekti ekonomik. Këtu krijohen aktivitetet më të rëndësishme ekonomike në komunë dhe për këtë shkak përkrahja e zejeve dhe nxitja e të rinjve që të merren me zeje të caktuara duhet të jetë prioritet i jonë.
Nga komuna e Çairit thanë se kanë ndërmarrë një seri aktivitetesh me të cilat Çarshisë së Vjetër të Shkupit i japin dimension të ri modern. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë qendër e jetës ekonomike dhe shoqërore dhe se ky manifestim është vazhdim i të gjitha angazhimeve të tyre për Çarshinë.
Idetë të cilat do t’i realizojmë do të jenë pasqyrë e asaj që sot e premtojmë. Konsiderojmë se bashkëjetesës dhe marrëdhënieve-fqinjësore të cilat kanë qenë dhe janë në këto hapësira ballkanike do t’u japim dinamikë më të madhe”, tha Zore Temelkovski, Kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni-Bullgari.
Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi tha se së bashku me Komunën e Çairit po zbatojnë projektin për rregullimin e vitrinave dhe reklamave në Çarshinë e Vjetër dhe se aktualisht punohet në vlerësimin dhe përzgjedhjen e dyqaneve tjera të mbetura për të cilat Ministria ka nënshkruar marrëveshje me Esnafin e Çarshisë në vlerë prej 6 milion denarë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini gjithashtu përshëndeti të pranishmit duke shprehur urime organizatorëve të këtij manifestimi me dëshirë që të gjitha aktivitetet në kuadër të të njëjtit të kontribuojnë në miqësi më të thella dhe bashkëpunime edhe më të fuqishme afariste të cilat Çarshisë së Vjetër do t’ja rikthejnë gjallërinë.
Pas fjalimeve përshëndetëse të gjithë mysafirët realizuan një shëtitje nëpër Çarshi duke provuar shijen e qebapëve – shenjë tradicionale e rajonit dhe çarshive, nga qebaptoret e njohura shkupjane Destan, Pçella, Turist dhe Temov të cilëve edhe ju ndanë mirënjohje. Gjatë vizitës u prezantuan dyqanet e rinovuara nga ana e Ministrisë së Ekonomisë të RM.















