Durim Zekiri në Konferencën “#ECONLIT24”: “OEMVP është e angazhuar për mbajtjen e fuqisë punëtore të nevojshme për treg, si dhe krijimin e politikave makroekonomike të favorshme”

21.12.2024, Tetovë – Në hapësirat e Hotel Mercure, u mbajt Konferenca #ECONLIT24 e organizuar nga Instituti Alternativa Liberale, me temë “Fuqizimi i gjeneratave të ardhshme: Roli i edukimit ekonomik në zhvillimin e qëndrueshëm”, ku i ftuar si panelist ishte Drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri.

Z. Zekiri ishte folës në panel diskutimin me temë “Ndërlidhja e politikave dhe praktikave – Qasje bashkëpunuese ndaj edukimit ekonomik”, ku folës ishte edhe z. Ahmed Qazimi, ish këshilltar për çështje ekonomike i Kryetarit të RMV-së, si dhe z. Gani Ramadani, zv. Drejtor – Banka popullore e RMV-së.

“Këtë vit, nëpërmjet mentorimeve dhe trajnimeve të ndryshme kemi asistuar bizneset që potencialin e tyre ta shtojnë duke i aplikuar ato transformime të gjelbra të nevojshme të cilat tregu bashkëkohor po i kërkon. Nga ana tjetër, vlen të theksohen edhe kostot operative të larta me të cilat ballafaqohen kompanitë në punën e tyre në përditshmëri, duke i destimuluar investimet, gjë që e ka rrezikuar edhe ekosistemin biznesor në Maqedoninë e Veriut” potencoi z. Zekiri.

Sa i përket mungesës së fuqisë punëtore, z. Zekiri theksoi që duhet të ndërmerren reforma që sektori privat të ketë kuadër sa më të përgatitur dhe profesionist, ndërsa OEMVP synon bashkëpunim sa më të ngushtë me shkollat e mesme, sidomos ato profesionale, por edhe me universitetet. Në këtë drejtim, Universitetet dhe bizneset duhet të jenë lokomotivat të cilat iniciojnë dhe çojnë përpara çdo iniciativë, qoftë në plan makro ekonomik, apo edhe në implementim të nivelit mikro, kompani-universitet dhe anasjelltas.

OEMVP angazhohet dhe mbështet të gjitha iniciativat që synojnë krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, rritjen e produktivitetit ekonomik dhe zhvillimin teknologjik në vend.