22.04.2024, Shkup – Kryetari Qyra dhe drejtori ekzekutiv i OEMVP ishin të ftuar në hapjen solemne të ngjarjes “Java e Karrierës”, e organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Ky eveniment ka për qëllim të ofrojë një platformë për studentët për të eksploruar mundësitë e punësimit duke u lidhur me kompanitë vendore që ofrojnë punësime dhe punë praktike.
Ai u shpreh se institucionet arsimore dhe bizneset janë dy shtylla kryesore për një të ardhme të ndritur dhe se duke bërë propozime dhe kërkesa konkrete deri te institucionet shtetërore, do kontribuojnë në parandalimin e emigrimit.
“OEMVP tash e një vit punon në lidhje me resurset njerëzore në kuadër deficitar për tregun e lirë të punës, dhe këtu duhet përmendur se rreth 790 mijë persona aktiv për punë, 680 mijë janë në marrëdhënie të rregullt pune, ndërsa rreth 103 mijë janë të paraqitur në entin për punësim si persona aktiv që kërkojnë punë, ndërkaq sektori i biznesit kërkon rreth 25 mijë punëtorë”, u shpreh kryetari Qyra. Ndër tjerash tha se paga minimale duhet të rritet në nivel prej 30,000 denarë, ndërkaq shteti të mos rritë kontributet, gjegjësisht ti zvogëlojë ato në 32 % nga paga neto.
Gjithashtu, ai u shpreh se duhet të rritet efikasiteti i punës nga fuqia punëtore për të krijuar një mundësi edhe më të madhe të rritjes së beneficioneve ndaj tyre nga ana e sektorit privat.
Oda kërkon proaktivitet prej faktorëve relevantë që ndikojnë në largimin e studentëve të sapo diplomuar, të cilët ndërtohen dhe rriten profesionalisht në shtetet e jashtme, duke lënë peng zhvillimin e vendit të tyre.
Në këtë eveniment ishin të pranishëm edhe shumë kompani anëtare të OEMVP-së si: Dauti Komerc, Sparkasse Banka, Slice, BE-DA Logistik, EVN, Halk Banka, Maliqi Group, NLB Banka.





