U ndanë çmimet në manifestimin “Sipërmarrësi i vitit 2018”
Tradicionalisht, edhe këtë vit Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Fondacionin Maqedonas për zhvillim të ndërmarrësisë, Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë, Qendrën Nacionale për zhvillim të inovacioneve dhe mësim të sipërmarrësisë ndanë çmimin “Sipërmarrësi i vitit 2018”, me qëllim të nxitjes së shpirtit sipërmarrës nëpërmjet promovimit të shembujve të suksesshëm, për sipërmarrësit e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla në vend.
Në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla çmimi i parë i takoi Valon Kupës, pronar i kompanisë Evita Grup nga Dibra, ndërsa çmimi i dytë Filip Ristevskit, menaxher i kompanisë Piksel nga Shkupi.
Çmimi i parë në kategorinë e ndërmarrjeve mikro u nda për Sashko Andonov, menaxher i kompanisë Teçko Net nga Koçani, ndërsa i dyti për Aleksandar Biljanoskin, menaxher i kompanisë Moe Studio Dadar nga Shkupi.
Klasifikimi për përzgjedhjen e “Sipërmarrësit të vitit 2018” është bërë në bazë të të dhënave nga Regjistri Qëndror i Republikës së Maqedonisë, në periudhën nga viti 2015 deri më 2017, ku gjithësej 112 ndërmarrje mikro dhe të vogla i përmbushën kriteret për zgjidhje duke realizuar rritje të vazhdueshme në numrin e të punësuarve, të ardhurat totale, fitimi dhe investimet. Sipërmarrësit më të mirë ishin të kontaktuar dhe të kyçur në procesin e përzgjedhjes nëpërmjet plotësimit të pyetësorit, vizitës në teren, analizës dhe vlerësimit sipas kritereve të përcaktuara më herët (përkushtimi në trajnime, marketingu dhe strategjia e rritjes, investimet në mjete dhe hulumtim, zhvillim dhe inovacione etj.)
Çmimet në manifestimin “Sipërmarrësi i vitit 2018” këtë vit u ndanë për herë të 12-të, ndërsa sipërmarrësit të cilët fituan çmime u shpërbylen me statueta, plaketa dhe pako shërbimesh nga organizatorët.