Më 29 korrik 2011, në Strugë u mbajt tryeza e dytë e rrumbullakët, me temën: “Bashkëpunimi ndërkufitar në mes grupeve të interesit”, ku znj. Mirlinda Rushiti-Bytyqi, menaxhere e projektit, dha informacione shumë të rëndësishme për bashkëpunimin ndërkufitar midis rajonit Jug – Perëndimor të Republikës së Maqedonisë dhe rajonit të Korçës në Shqipëri.
Paneli i tryezës së rrumbullakët ishte i përbërë nga znj. Mirlinda Rushiti – Bytyqi, menaxhere e projektit, z.Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Vlladislav Zupan, përfaqësues nga komuna e Strugës, z.Lulzim Xhemaili, zëvendës drejtor i doganës në Maqedoni, znj. Anila Skera, Drejtoria e përgjithshme e Doganave të Shqipërisë, z. Saimir Dhamo, Agjencia e Sigurimit UNIQA, z.Dejan Runtevski, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Republikës së Maqedonisë, z. Hazari Shovket, Ministria e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, z. Musta Valben, Ministria e Transportit dhe Lidhjes së Republikës së Maqedonisë.
Tryeza e rrumbullakët mundësoi komunikimin fillestar në mes komuniteteve të biznesit nga të dy anët e kufirit, autoriteteve lokale dhe organizatave joqeveritare. Për të ndihmuar folësit në tryezën e rrumbullakët ishte angazhuar përkthyes nga maqedonisht në shqip dhe anasjelltas.
Partners Albania ka qenë përgjegjës për organizimin e tryezës dhe OEMVP-ja ishte përgjegjës për koordinimin e saj. Si përfundim i kësaj tryeze ishte mundësia për një klimë pozitive në biznes në bashkëpunimin në mes dy vendeve, dhe krejt kjo duke u bazuar në të dhëna dhe analiza të ndryshme.



