19.09.2024, Shkup – Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore -së, z. Zeqiri së bashku me anëtaren e Këshillit Drejtues znj.Qanije Selimi, zhvilluan takimin me Drejtorin e sapoemëruar të Agjencisë për Investimet e Huaja dhe Promovimin e Eksportit z.Refik Xhemaili.
Fokusi kryesor i takimit ishte krijimi i bashkëpunime të reja, veçanërisht në sektorët strategjikë që mund të përkrahin rritjen ekonomike të qëndrueshme. Temë tjetër e rëndësishme ishte Ligji për mbështetje financiare të investimeve, duke theksuar nevojën për të rishqyrtuar dhe reviduar disa pjesë të tij.
Zeqiri uroi z. Xhemailin mbi pozitën e tij të re, duke theksuar që OEMVP ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm në krijimin e politikave që nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe që përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet relevante dhe sektorin privat, Oda ka kontribuar në ndërtimin e një ambienti më të favorshëm për bizneset dhe investitorët.
Gjithashtu, z. Zeqiri shprehi gatishmërinë e OEMVP të vazhduar dhe thelluar këtë partneritet dhe për të punuar së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta të dy palëve.
Nga ana tjetër, z.Xhemaili u shpreh se promovimi i eksportit mbetet një prioritet kyç për rritjen ekonomike dhe se janë të angazhuar për të rritur kapacitetet eksportuese të vendit përmes nxitjes së investimeve të huaja dhe përmirësimit të infrastrukturës. Megjithatë, poashtu theksoi që bashkëpunimi institucional mbetet një çështje shqetësuese që kërkon vëmendje të veçantë për të përmirësuar koordinimin dhe për të krijuar një ambient më të favorshëm për investitorët.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si shtyllë e çdo biznesi është e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante për të përmirësuar ambientin ekonomik dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të vendit.




