OEMVP realizoi info-sesion për thirrjen publike – “600,000 euro grant nga IPARD për bizneset mikro dhe të vogla, masa 7”

30.09.2024, Shkup – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në kuadër të shërbimeve informative, gjegjësisht informimit të qasjes në financa, realizoi info-sesion  për të njoftuar anëtarët mbi thirrjen publike. Info-sesioni kishte për qëllim të informojë dhe  asistojë kompanitë anëtare në lidhje me mundësitë që ofron thirrja për grantin prej 600,000 euro nga Programi IPARD, specifikisht në kuadër të Masës 7.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të informohen me atë se çka përfshin thirrja, kriteret e aplikimit, procedurat teknike dhe dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e grantit, cilët sektorë i përfshin thirrja, si dhe vendet e përshtatshme për të realizuar investimin.  Granti mund të shfrytëzohet për blerjen e makinave dhe pajisjeve të reja për prodhim dhe përpunim, për mbulimin e kostove të ndërtimit ose rinovimit të objekteve në të cilat zhvillohet prodhimi, e të tjerë.

Konsultuesi z. Ilin Nikolovski nga kompania DSI Momentum Solutions shpjegoi në detaje hapat që duhen ndjekur për të siguruar një aplikim të suksesshëm dhe sugjeroi udhëzime praktike për maksimizimin e mundësive financiare të ofruara nga ky grant.

Gjithashtu, u zhvillua edhe diskutim i hapur mes pjesëmarrësve dhe konsultuesit, ku përfaqësuesit e kompanive anëtare parashtruan pyetje, duke e bërë këtë segment interaktiv fitimprurës për kompanitë anëtare, mbi aspektet teknike të këtij programi.

OEMVP vazhdon të jetë një partner i besueshëm për anëtarët e saj, duke ofruar mbështetje dhe udhëzime për përfitimin e granteve, si dhe për zhvillimin dhe rritjen e bizneseve mikro dhe të vogla në Maqedoninë e Veriut, por jo vetëm.