“Nxitje për Biznese të Gjelbra: OEMVP dhe HALKBANK AD Skopje thellojnë bashkëpunimin e tyre duke nënshkruar Memorandum për Bashkëpunim”

03.04.2024, Shkup – Në vazhdën e aktiviteteve të OEMVP për të lehtësuar qasjen e anëtarëve të saj në financa dhe transformim të bizneseve të tyre drejt efikasitetit energjetik, Drejtori ekzekutiv i OEMVP z. Durim Zekiri dhe Drejtori gjeneral ekzekutiv i HalkBank z. Bilall Suxhubashi nënshkruan Memorandum bashkëpunimi duke ju ofruar anëtarëve qasje direkte në shërbimet të cilat i ofron Halkbank.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, anëtarët e OEMVP-së do të kenë qasje në kredi me normë interesi të favorshme, duke i ndihmuar ata në zhvillimin dhe implementimin e projekteve inovative, ndërsa OEMVP dhe Halkbank do të ndihmojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke ofruar mbështetje gjatë procesit të aplikimit për financim.

Ky partneritet synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për investime në transformimin e bizneseve drejt praktikave të gjelbra dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik.

Kjo iniciativë është pjesë e grant projektit të OEMVP “Liderët e Bizneseve të Gjelbërta” © i cili implementohet në bashkëpunim me Shoqatën për Menaxhim dhe Konsulencë MKA-2000 dhe realizohet në kuadër të Projektit të mbështetur nga USAID Maqedonia e Veriut “Aktiviteti për Fuqizimin e Ekosistemit Afarist”, të implementuar nga Konsulenca për Zhvillim Strategjik.