Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi: “OEMVP dhe Sparkasse Banka iu lehtësojnë anëtarëve të OEMVP investimet në efikasitet energjetik”

03.04.2024, Shkup – Drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri dhe kryetari i bordit drejtues të  Sparkasse Bank z. Sanel Kusturica nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi, nëpërmjet të cilës thelluan bashkëpunimin e tyre drejt fuqizimit të efikasitetit energjetik.

Qëllimi i këtij memorandumi është të ju mundësoje qasje më të lehtë kompanive anëtare të Odës në shërbimet e Sparkasse Bank sa i përket financimit të projekteve për efikasitet energjetik.

Ky Memorandum synon të thellojë lidhjen midis sektorit privat dhe institucioneve financiare, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për investime në inovacion dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. OEMVP do të shërbejë si urë lidhëse për Anëtarët e saj të cilët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga kreditë e ofruara nga Sparkasse Banka me një norme interesi të favorshme, të fokusuar në efikasitet energjetik, në përputhje me kriteret dhe procesin e vlerësimit të bankës.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, OEMVP dhe Sparkasse Bank do të ndihmojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke ofruar mbështetje gjatë procesit të aplikimit për financim.

Kjo iniciativë është pjesë e grant projektit të OEMVP “Liderët e Bizneseve të Gjelbërta” © i cili implementohet në bashkëpunim me Shoqatën për Menaxhim dhe Konsulencë MKA-2000 dhe realizohet në kuadër të Projektit të mbështetur nga USAID Maqedonia e Veriut “Aktiviteti për Fuqizimin e Ekosistemit Afarist”, të implementuar nga Konsulenca për Zhvillim Strategjik.