Home / Lajmet / Lajmet e fundit / NË VAZHDËN E AKTIVITETEVE PËR 20-VJETORIN, OEMVP ORGANIZON KONFERENCË KUSHTUAR ROLIT TË ODAVE EKONOMIKE DHE PROMOVON MONOGRAFINË

NË VAZHDËN E AKTIVITETEVE PËR 20-VJETORIN, OEMVP ORGANIZON KONFERENCË KUSHTUAR ROLIT TË ODAVE EKONOMIKE DHE PROMOVON MONOGRAFINË

NË VAZHDËN E AKTIVITETEVE PËR 20-VJETORIN, OEMVP ORGANIZON KONFERENCË KUSHTUAR ROLIT TË ODAVE EKONOMIKE DHE PROMOVON MONOGRAFINË

09.06.2026, Shkup – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, u mbajt Konferenca Jubilare e 20-vjetorit, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, akademisë dhe partnerë të shumtë të Odës.

Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, dhe të z. Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, të cilët theksuan rëndësinë e rolit të Odës në avancimin e interesave të biznesit dhe zhvillimin ekonomik gjatë dy dekadave të fundit.

Gjatë konferencës u zhvillua paneli i diskutimit me temë  “Pozicioni i odave ekonomike në vend dhe rajon në dekadën që vijon”, ku u trajtuan sfidat, mundësitë dhe roli i odave ekonomike në përfaqësimin e sektorit privat dhe në krijimin e politikave që nxisin zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Pjesë e panelit ishin personalitete të njohura nga fusha ekonomike, akademike dhe institucionale: Agim Shahini, Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Akad. Prof. Izet Zeqiri, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, Xhemail Dauti, Kryetar Nderi i OEMVP-së, si dhe Prof. Dr. Jeton Shasivari, profesor universitar i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore.

Një moment i veçantë i konferencës ishte promovimi i Monografisë së OEMVP-së, një botim që pasqyron rrugëtimin, sfidat, arritjet dhe kontributin e Odës në mbështetjen dhe zhvillimin e komunitetit të biznesit gjatë 20 viteve të veprimtarisë së saj.

Konferenca Jubilare e 20-vjetorit shërbeu si një platformë reflektimi mbi sukseset e deritanishme, por edhe si një mundësi për të diskutuar perspektivat dhe prioritetet e ardhshme të sektorit privat dhe të odave ekonomike në vend dhe rajon.

Pas përfundimit të programit zyrtar, për të gjithë të pranishmit u organizua një koktej rrjetëzimi, i cili mundësoi takime dhe shkëmbim idesh ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve, institucioneve dhe partnerëve të OEMVP-së.