Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Realizohet Forumi i Filantropisë 2024

Realizohet Forumi i Filantropisë 2024

Realizohet Forumi i Filantropisë 2024

22.05.2024, Shkup – Sot u realizua Forumi i Filantropisë 2024, ngjarje e cila i bashkoi liderët e filantropisë, sektorin e biznesit, institucionet, OSHC si dhe të gjithë të cilët kanë ndikim në filantropi, për ta vënë atë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Përveq kompanive anëtare, ishte  i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zeqiri, i cili në deklaratën për shtyp përgëzoi Konekt për këtë ngjarje dhe përgëzoi dhe falënderoi kompanitë anëtare të OEMVP për praktikat filantropike dhe ato të përgjegjësisë shoqërore afariste.

Ai gjithashtu ftoi kompanitë të bashkohen dhe të marrin pjesë në këtë nismë, me qëllim krijimin e një sistemi të mirëfilltë mbi mënyrën se si duhet të qasen kompanitë ndaj filantropisë.

Gjithashtu, z. Zeqiri theksoi rëndësinë e punës për ndryshimin e sistemit ligjor sa i përket Ligjit për donacione dhe sponzorizime publike në veprimtaritë publike, nëpërmjet së cilës mundësohen lehtësime tatimore, me çka do shërbjë si nxitës i sektorit privat për të bërë donacione.

Folësit nga rajoni dhe nga vende të tjera ndanë praktikat më të mira dhe vlerat e filantropisë, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe inovacion në adresimin e sfidave socio-ekonomike. Diskutimet u përqendruan në fuqizimin e komunitetit dhe në përmirësimin e kulturës së filantropisë në nivel kombëtar.

Pjesë e panelit të diskutimit me temë “Biznesi është forca nxitëse e zhvillimit të qëndrueshëm” ishte edhe z. Abdylezel Dogani, CEO i Vezë Sharri dhe njëherit kompani anëtare e  OEMVP, kompani e shquar me praktika të mira filantrope si dhe të PSHA-së.

Forumi për Filantropinë 2024 u dërgoi një mesazh të qartë të gjithë filantropëve, sipërmarrësve socialë, liderëve të korporatave, politikë-bërësve, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave për të bashkuar forcat, për të krijuar më shumë mundësi, partneritete dhe modele të reja të bashkëpunimit të zgjeruar që inkurajojnë rritjen në rrugën drejt të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në fund, u prezantua platforma e re e donacioneve “Op-Op”, e cila ofron mundësi për donacione të mëdha me ndikim në projekte të rëndësishme për të ardhmen e vendit.”

Kjo ngjarje është pjesë e projektit të USAID-it “Partneritete për donacion” e zbatuar nga Konekt në partneritet me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Qendrën Evropiane për të Drejtën Jofitimprurëse (ECNL), Indigo dhe Odën Ekonomike Amerikane në Maqedoninë e Veriut.