Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, Nënkryetarin, z. Shpresim Tairi, dhe anëtarin e Këshillit Drejtues, z. Reshat Musliu, realizuan takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi.
Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional mes Kuvendit dhe komunitetit të biznesit, si dhe prezantimin zyrtar të U.D. Kryetarit të ri të OEMVP-së.
Gjatë bisedimeve, z. Aliu, theksoi rëndësinë që komuniteti i biznesit të informohet në kohë për ligjet dhe aktet që ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik. Ndërkaq, Drejtori ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, potencoi kërkesën e vazhdueshme të OEMVP-së për uljen e TVSH-së për apartamentet nga 18% në 5%, si një masë që do të stimulonte sektorin e ndërtimit dhe ekonominë në tërësi.
Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Afrim Gashi, shprehu gatishmërinë për të përforcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me OEMVP-në në adresimin e çështjeve me interes për sektorin privat
Anëtari i Këshillit Drejtues, z. Reshat Musliu, theksoi nevojën për krijimin e një lidhjeje të fortë mes shtetit dhe biznesit, që do të mundësonte një bashkëpunim më efektiv dhe rezultate konkrete për të dyja palët.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon angazhimin e saj për të qenë urë lidhëse mes biznesit dhe institucioneve, duke punuar për krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komunitetit të saj.






