Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Takim pune me Odën Ekonomike të Dubait, OEMVP prezanton mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të anëtarësisë së saj

Takim pune me Odën Ekonomike të Dubait, OEMVP prezanton mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të anëtarësisë së saj

Takim pune me Odën Ekonomike të Dubait, OEMVP prezanton mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të anëtarësisë së saj

22.09.2025 – Drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri, Kryetari i Grupacionit për bujqësi dhe zhvillim rural, z. Arben Halili, znj. Egzona Aliu si përfaqësuese e Grupacionit për Turizëm dhe Hotelieri me kompaninë Hotel Actor dhe menaxherja operative Miranda Ajdini morën pjesë në takimin e punës të organizuar nga Qeveria e RMV-së, me rastin e vizitës së delegacionit të Odës Ekonomike të Dubait. Qëllimi i takimit ishte të eksplorohen mundësi për bashkëpunim me kompanitë vendore si dhe potencialin që vendi jonë ka për investime.

Takimi u hap me një fjalë rasti nga Kryeministri i RMV, z.Hristijan Mickoski duke theksuar prioritetin e Qeverisë për stabilitet ekonomik të vendit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, por edhe mbështetjen e investitorëve vendas.

Kryetari dhe Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Dubait, z. Mohamed Ali Rashed Loutah potencoi se bashkëpunimi në rritje mes Dubait dhe Maqedonisë së Veriut pasqyron ambicien e përbashkët për të ndërtuar ekonomi të qëndrueshme dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Dubait shprehën interes të veçantë për disa sektorë të ekonomisë sonë, përfshirë energjetikën, minierat dhe mineralet, bujqësinë, pylltarinë dhe ujësjellësin, kulturën dhe turizmin, si dhe transformimin digjital.

Në takim, Drejtori ekzekutiv i OEMVP z. Zekiri prezantoi rolin dhe veprimtarinë e Odës, duke theksuar orientimin global, bashkëpunimin me institucione si Forumi Ekonomik Botëror, rrjetëzimin e kompanive anëtare nga vendet evropiane dhe nga Shtetet e Bashkuara përmes diasporës sonë, si dhe kontributin e OEMVP-së në hartimin e politikave dhe reformave që ndihmojnë përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend. Gjithashtu, theksoi edhe anulimin e Ligjit për Tatimin Solidar, i cili rikthen besueshmërinë e investitorëve të huaj potencial të cilët janë të orientuar kah Maqedonia e Veriut.

Kryetari i Grupacionit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, z. Arben Halili, prezantoi punën dhe rëndësinë e këtij grupacioni në mbështetjen e prodhuesve bujqësorë dhe në zhvillimin e sektorit rural. Ai nënvizoi potencialin e madh që bujqësia ka për rritjen e eksportit dhe forcimin e zinxhirit të qëndrueshëm ushqimor, duke theksuar se ky sektor ofron mundësi konkrete bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë.

Gjithashtu, përfaqësuesja e Hotel Actor znj. Egzona Aliu, si anëtare e Grupacionit për turizëm dhe hotelieri, prezantoi mundësitë për investime në destincionet turistike që Maqedonia e Veriut ofron, duke e vendosur theksin tek potenciali i madh që ofron turizmi në vend për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Duke u bazuar në sektorët me potencial zhvillimor dhe në mbështetjen institucionale, ky partneritet krijon një platformë të qëndrueshme për investime të huaja direkte, zhvillim të sektorëve strategjikë dhe rritje të konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit.