Shkup, 16.09.2025 – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, udhëheqësia e Odës dhe përfaqësues nga Grupacioni i ndërtimtarisë, urbanizmit, mjedisit dhe energjetikës mirëpritën në takim pune përfaqësues nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Në takim u prezantua Projekti Rajonal për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut, duke e bërë iniciativën e parë në nivel shtetëror për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe një hap të rëndësishëm drejt përputhjes me standardet e BE-së. Projekti, që do të realizohet në Tetovë – Falishte, parashikon ndërtimin e një deponie rajonale sanitare sipas standardeve evropiane.
Për kompanitë anëtare të OEMVP, ky projekt paraqet mundësi konkrete për përfshirje në fazat e projektimit dhe ndërtimit, duke u hapur perspektiva të reja bashkëpunimi dhe investimi.
OEMVP, si gjithmonë, mbetet urë lidhëse mes institucioneve publike dhe sektorit privat, duke garantuar që bizneset të jenë të informuara, të përgatitura dhe të përfshira në nisma të këtij karakteri. Përmes këtij roli ndërmjetësues, Oda jo vetëm që u ofron kompanive anëtare qasje në informata të drejtpërdrejta, por edhe ndihmon në forcimin e partneriteteve publiko–private, në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe modernizimit të infrastrukturës vendore.