U.d. Kryetari i OEMVP-së, Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv Durim Zeqiri, morën pjesë në ngjarje B2B të organizuar me delegacion biznesesh nga Turqia, përkatësisht nga Zona e Organizuar Industriale Antalya-s.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kompani anëtare të OEMVP-së, gjegjësisht, Euroaktiva Gold, Alpak Eko, Eko Teknika dhe Bis Oil, duke dëshmuar interesin e lartë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e partneriteteve të reja në sektorët përkatës.
Gjatë ngjarjes, U.d. Kryetari Nuhi Aliu në fjalimin e tij përshëndetës theksoi se “OEMVP është zë i fuqishëm i komunitetit të biznesit, duke bashkuar kompani nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe duke u angazhuar vazhdimisht për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, si dhe për krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm”.
Ai gjithashtu potencoi se, një nga prioritetet kryesore mbetet ndërkombëtarizimi i bizneseve, përmes organizimit të forumeve ekonomike, takimeve B2B dhe misioneve tregtare, ashtu si ky aktivitet i sotëm.
OEMVP u nderua me mirënjohje për angazhimin e përbashkët për kontributin në realizimin e kësaj ngjarje, ndërkaq ngjarja vijoi me takime B2B, ku kompanitë patën mundësinë të prezantojnë aktivitetet e tyre, të shkëmbejnë ide dhe të eksplorojnë mundësi konkrete për bashkëpunim të ndërsjellë dhe investime të reja.




