Home / Lajmet / Lajmet e fundit / OEMVP ORGANIZOI EDICIONIN E 16-TË TË TOP 100™ 2025, NGJARJA KU EKONOMIA E VENDIT MORI LAVDINË DHE SKENËN QË MERITON

OEMVP ORGANIZOI EDICIONIN E 16-TË TË TOP 100™ 2025, NGJARJA KU EKONOMIA E VENDIT MORI LAVDINË DHE SKENËN QË MERITON

OEMVP ORGANIZOI EDICIONIN E 16-TË TË TOP 100™ 2025, NGJARJA KU EKONOMIA E VENDIT MORI LAVDINË DHE SKENËN QË MERITON

Shkup, 19.11.2025 – Në një atmosferë ku ekonomia vendase mori skenën që e meriton, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore organizoi edicionin e 16-të të TOP 100™ 2025,  ngjarjen më të rëndësishme dhe më të pritur të vitit, e cila këtë vit u kurorëzua me 20-vjetorin e themelimit të OEMVP-së.

Me mbi 400 të pranishëm, mes tyre Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministra, ambasadorë, drejtues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë, dhe mbi të gjitha me prezencë të jashtëzakonshme të  kompanive tona, OEMVP edhe njëherë dëshmoi relevancën e saj ekonomike dhe të komunitetit të biznesit si dhe rolin e saj në zhvillimin e vendit.

Ngjarjen e hapi nikoqiri, U.D. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, i cili theksoi rëndësinë e këtij edicioni duke nënvizuar se 20-vjetori shënon jo vetëm vlerësimin e arritjeve të kompanive, por edhe rrugëtimin e tyre të mbështetur në vizion, vendosmëri dhe përkushtim. Ai gjithashtu potencoi se Oda mbetet institucioni më i besueshëm dhe partneri kryesor që lidh biznesin me institucionet.

Këto mesazhe u mbështetën në shifra konkrete të prezantuara në ngjarje. Të hyrat totale të kompanive TOP 100 për vitin 2024 arritën 1.7 miliardë euro, fitimi neto kumulativ 135.4 milionë euro,  niveli më i lartë në dhjetë vitet e fundit, ndërsa numri i të punësuarve në këtë listë arriti 10,794, nga të cilat 5,206 vetëm nga TOP 10. Këto të dhëna s’janë thjesht statistika, por pasqyrë e ndikimit të tyre në ekonominë e vendit.

Mbrëmja vijoi me fjalimin e ish-Kryetarit të OEMVP-së, z. Mendi Qyra, i cili për tre vite udhëhoqi Odën me integritet dhe vizion. Atij iu nda edhe mirënjohje nga Këshilli Drejtues për kontributin e tij të çmuar në forcimin e institucionit dhe avancimin e proceseve të rëndësishme për sektorin privat.

Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij theksoi se e ardhmja ndërtohet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes Qeverisë dhe biznesit, duke theksuar se të dy palët duhet të jenë në të njëjtën anë. Ai nënvizoi se Qeveria do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm i sektorit privat dhe se vetë ngjarja e sotme dëshmon se suksesi dhe rritja janë plotësisht të arritshme.

Duke mbajtur në qendër të vëmendjes kompanitë, në këtë ngjarje u ndanë edhe çmime për arritje të jashtëzakonshme në disa kategori të rëndësishme për biznesin.

NITA’S FACE CARE u vlerësua me çmimin “Gruaja e suksesshme në biznes”, ndërsa VARUS mori çmimin për “Partneritetin më të suksesshëm”. Titulli “Top Eksportuesi” i këtij viti iu dha kompanisë BENTON-NI, ndërsa çmimi për “Top Investime”, me vlerë prej 4.4 milionë euro në vitin 2024, iu nda kompanisë ATS GROUP. Çmimi për “Kompaninë me rritje më të shpejtë” i takoi MULTIPARK IZAIRI, ndërsa risia e këtij edicioni, çmimi “Kompania me investime në transformimin energjetik” – shkoi për GREEN FIELD.
Tradita e promovimit të praktikave pozitive të përgjegjësisë shoqërore u vazhdua me vlerësimin për IN HOME SERVICE, e cila u shpërblye me çmimin për “kompaninë me përgjegjësi shoqërore korporative”.

Një moment tjetër historik i natës ishte ndarja e mirënjohjes për “Lansky, Ganzger, Zeqiri + Partner Skopje”, për rolin e tyre në një nga proceset ligjore më të rëndësishme të dekadës, ankimin kundër Ligjit për Tatimin Solidar. Falë këtij angazhimi, për herë të parë shteti humbi një kontest të këtij lloji, duke hapur rrugën për kthimin e 49 milionë eurove në llogaritë e kompanive të dëmtuara.

Drejtori Ekzekutiv vuri në pah dinamizmin e punës së OEMVP-së gjatë vitit dhe prezantoi metodologjinë e rangimit të TOP 5 kompanive, duke e vënë në qendër transparencën, saktësinë dhe standardet profesionale që e bëjnë këtë proces unik në vend.

Përmbyllja e natës shënoi shpalljen e kampionëve të vitit sipas metodologjisë së TOP 100™, bazuar në pesë kategori kryesore të performancës.

ADRIJUS u rendit si kompania TOP 5, e ndjekur nga KIPPER si TOP 4, NEPTUN si TOP 3, POFIX e ranguar si TOP 2 dhe, në krye të listës, DAUTI KOMERC si kompania TOP 1 për vitin 2024. Këta pesë liderë të tregut vendosën standardet e suksesit për vitin që lamë pas.

Në këtë 20-vjetor, OEMVP riafirmoi se mbetet institucioni ku biznesi gjen përfaqësim real dhe partneritet afatgjatë, duke dëshmuar që vetëm me rezultate konkrete, transparencë dhe vlerësim për më të mirët tanë, mund të avancojmë ekonominë tonë.

2