19 Nëntor 2016 – Delegacioni i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore i kryesuar nga kryetari Nebi Hoxha, prej dje janë pjesë e Samitit të parë të Diasporës shqiptare në Tiranë. Samiti është një aktivitet madhor që organizohet për herë të parë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama nga datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë.
Në hapjen e këtij samiti, kryeministri shqiptar, ka vlerësuar rëndësinë e diasporës shqiptare nëpër botë, e cila sipas tij ka luajtur një rol thelbësor për ekzistencën e Shqipërisë. Samiti ka mbledhur individë të shquar nga fusha të ndryshme, drejtues apo përfaqësues të organizatave të ndryshme në diasporë si edhe anëtarë të saj nga të gjitha vendet e botës. Samiti është kuvendi i parë gjithëshqiptar për të analizuar, së bashku me autoritetet si dhe aktorë të tjerë të vendit, të gjitha mundësitë për vendosjen e një bashkëpunimi me diasporën shqiptare në botë.
Diaspora, sipas kryetarit të OEMVP-së Nebi Hoxha, duhet të shërbejë si një përvojë, duke pasur parasysh suksesin e shqiptarëve në mërgim dhe Samiti është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet me diasporën. Duhet të ndërtojmë një partneritet të qëndrueshëm me diasporën dhe ta përfshijmë atë në zhvillimin ekonomik. – tha Nebi Hoxha, Kryetar i OEMVP-së.
Të gjithë pjesëmarrësit janë pjesë e diskutimit në panelet e ndryshme për të vendosur një kuadër bashkëpunimi sa më konkret, për të ndërtuar së bashku mekanizma të qëndrueshëm dhe për të realizuar atë që ka munguar deri sot, një ndërveprim real me diasporën.
Dita e tretë e samitit do ju kushtohet aktiviteteve të ndara në dy grupe të mëdha: vizita me karakter kulturor (Tiranë, Durrës, Krujë, Elbasan, Shkodër, Berat) si dhe takime profesionale sipas fushave.





