08.10.2025 – Në hapësirat e OEMVP, Kryetari, z.Nuhi Aliu, Drejtori ekzekutiv, z. Durim Zekiri, Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, z. Fatmir Etemi, Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti dhe anëtari i Këshillit Drejtues, z.Agron Mustafi mirëpritën në takim Kryetarin e LSDM, z. Venko Filipçe, dhe nënkryetarin e partisë, z. Fatmir Bytyqi.
Gjatë takimit u prezantua Platforma për Zhvillim Ekonomik Lokal e përgatitur nga OEMVP, e cila përmban masa konkrete të bizneseve ka për qëllim të përmbushë nevojat kryesore të sektorit privat dhe të përmirësojë klimën ekonomike në nivel lokal.
U.D. Kryetar i OEMVP, z. Nuhi Aliu theksoi rëndësinë e adresimit të kërkesave për zonën e Vizbegut, duke përfshirë eliminimin e deponisë së egër në veri-lindje të zonës, e cila pengon zhvillimin urban dhe krijon rreziqe mjedisore. U prezantuan edhe masat e tjera të cilat i përmban Platforma.
Kryetari i LSDM, z. Venko Filipçe shtoi se është e domosdoshme që kërkesat e sektorit të biznesit të merren seriozisht dhe se vetëqeverisja lokale, përveç në nivel mikro, duhet të funksionojë edhe në nivel shtetëror dhe global.
Në diskutim u trajtuan prioritetet e OEMVP-së për zhvillimin e biznesit, duke përfshirë inkurajimin e investimeve, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe krijimin e kushteve për rritje ekonomike.
Në vijim, nënkryetari i LSDM, z. Fatmir Bytyqi prezantoi programin e partisë, ku pikat kryesore përfshijnë zhvillimin e ekonomisë cirkulare, rritjen e efikasitetit dhe digjitalizimin e institucioneve publike, reforma në ndërmarrjet publike, zhvillimin ekonomik në partneritet me sektorin privat, stimulimin e të rinjve sipërmarrës përmes subvencioneve dhe uljes së shpenzimeve tatimore për bizneset e sapoformuara, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe tranzicionin energjetik drejt burimeve të rinovueshme.
Gjatë diskutimit u trajtuan disa çështje me rëndësi për zhvillimin lokal dhe ekonomik, si mungesa e planeve të detajuara urbanistike dhe nevoja për reforma në infrastrukturë, forcimin e partneritetit publiko-privat dhe përmirësimin e sistemit arsimor për ndërtimin e një fuqie punëtore të kualifikuar.
Në këtë drejtim, z. Fatmir Etemi vuri në dukje se, edhe pse Plani Gjeneral Urbanistik është miratuar prej më shumë se 13 vitesh, ende nuk është sjellë asnjë Plan Detal Urbanistik, gjë që përbën shkelje të afateve ligjore që kërkojnë përditësimin e tyre çdo pesë vite.
Ndërkaq, z. Xhemail Dauti theksoi nevojën për reforma në infrastrukturë dhe forcimin e partneritetit publiko-privat. Theksoi se duhet kërkuar llogaridhënie për projektet e parealizuara si dhe të ketë mundësi për revokim të një kryetari të komunës në qoftë se nuk respektohen ligjet. Duhet reforma të menjëhershme në infrastrukturë për disa komuna, që të mundësohet lidhje direkte në autostradë, me çka mundësohet funksionim efikas si i qytetarëve, ashtu edhe i bizneseve.
Gjithashtu u theksua domosdoshmëria e reformave në arsim, me synim ndërtimin e një fuqie punëtore të kualifikuar dhe ndryshimin e qasjes ndaj investimit në rini, ku z. Agron Mustafi u shpreh se kjo është mënyrë për të parandaluar migrimin përmes hapjes së vendeve të reja të punës dhe masave stimuluese.
OEMVP do të vazhdojë të zhvillojë takime edhe me partitë e tjera politike, për të promovuar platformën dhe për të krijuar një ambient ekonomik më të qëndrueshëm dhe më të favorshëm për biznesin dhe qytetarët, në nivel lokal.