Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Takim i OEMVP me Komisionin për mbrojtjen e konkurrencës – Forcimi i mekanizmave për konkurrencë të ndershme

Takim i OEMVP me Komisionin për mbrojtjen e konkurrencës – Forcimi i mekanizmave për konkurrencë të ndershme

Takim i OEMVP me Komisionin për mbrojtjen e konkurrencës – Forcimi i mekanizmave për konkurrencë të ndershme

Një delegacion i lartë i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, i udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit, z. Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z. Zekiri, Kryetarin e kuvendit, Kryetarin e nderit dhe anëtarin e Këshillit Drejtues, zhvilloi një takim pune me Kryetaren e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, znj. Malinka Siljanovska Nikoliq, dhe anëtarë të këtij institucioni – organ kyç për ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe funksionimin e ekonomisë së tregut, me kompetenca të gjera ligjore në parandalimin e praktikave monopoliste.

Takimi kishte për qëllim informimin e bizneseve mbi obligimet ligjore për paraqitjen e koncentrimeve sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, përmes njoftimit zyrtar të përgatitur nga Komisioni për t’u shpërndarë përmes odave ekonomike, me qëllim që kompanitë të njihen me detyrimet e tyre ligjore dhe të shmangin sanksionet.

Nga ana e OEMVP u theksua rëndësia e krijimit të një mekanizmi të drejtpërdrejtë komunikimi dhe ngritjes së një trupi koordinues për bashkëpunim të vazhdueshëm. Anëtarët shpalosën shqetësime për ndërmarrjet me pozita dominuese që keqpërdorin avantazhin e tyre, duke kërkuar zgjidhje sistematike dhe afatgjata. Po ashtu, nga OEMVP u kërkua zbatim i plotë i Ligjit për ndalimin e praktikave jofer tregtare – një ligj për të cilin vetë Oda ka qenë iniciatore, si instrument i domosdoshëm për mbrojtjen e bizneseve nga praktikat e padrejta dhe për krijimin e një tregu fer e funksional.

Kryetarja e Komisionit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë, përfshirë edhe angazhimin e anëtarëve të Odës në grupet punuese për ndryshimet ligjore, duke vlerësuar eksperiencën e tyre të drejtpërdrejtë me problemet e tregut.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, prej vitesh apelon për forcimin e mekanizmave shtetërorë që garantojnë një treg të drejtë dhe transparent. Vënia në funksion të plotë e institucioneve monitoruese, përfshirë Komisionin për mbrojtjen e konkurrencës, është kusht thelbësor për ndalimin e konkurrencës jolojale dhe shmangien e dominimeve të padrejta në treg, duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë aktorët ekonomikë dhe duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.