Sot, më datë 15.05.2024, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u realizua Panairi i Karrierës, një ngjarje e rëndësishme për bashkëveprimin midis universiteteve dhe kompanive të fushave të ndryshme.
Në këtë ngjarje mori fjalën edhe Kryetari i OEMVP, z. Mendi Qyra, i cili e konsideron fuqinë punëtore si një aset kyç për vendin, duke shprehur vendosshmërinë e Odës për të luftuar migracionin dhe largimin e fuqisë punëtore nga vendi. Ai theksoi rëndësinë e Panairit të Karrierës si një mundësi të shkëlqyer për studentët për të eksploruar kompanitë dhe profilet profesionale ku ata mund të zgjedhin të ndërtojnë karrierën e tyre.
Gjithashtu Kryetari Qyra deklaroi që OEMVP do të vazhdon të jetë partneri kryesor i institucioneve arsimore dhe qeveritare në luftën kundër migrimit të të rinjve duke ndihmuar në ndërtimin e një fuqie punëtore të qëndrueshme në vend. Oda qëndron stoike në kërkesën e saj për rritjen e pagës minimale në 30.000 MKD dhe uljen e kontributeve në 32%, me qëllim përmirësimin e standardit jetësor, rritjen e efikasitetit të punës, e cila do të jetë edhe shtysë për një konkurrueshmëri më të fuqishme.
Kryetari gjithashtu bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes sektorit të arsimit dhe atij të biznesit, për të prodhuar kuadro profesionale që plotësojnë nevojat e tregut të punës. Ai potencoi edhe faktin që sipas të dhënave zyrtare, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka 103,000 persona që kërkojnë punë, ndërsa nga ana tjetër nuk mund të plotësohet mungesa prej rreth 25,000 vendeve të lira të punës.
Në këtë panair, ishin prezent një numër i konsiderueshëm i kompanive anëtare të OEMVP-së siç janë: Dauti Komerc, Neting School, EVN, ZSF, Trim-Lum, Be-Da Logjistik, Maliqi Group, duke prezantuar para studentëve veprimtaritë e tyre dhe ofruar mundësi për punë praktike dhe duke iu ofruar një perspektivë të drejtpërdrejtë për mundësitë që ofrojnë kompanitë.





