16.10.2025 – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore u mbajt takimi me Kandidatin e Pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, z. Visar Ademi. Me këtë takim, OEMVP përmbylli ciklin e takimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike dhe kandidatët për kryetarë komunash, në kuadër të dialogut të vazhdueshëm për zhvillimin ekonomik lokal dhe përmirësimin e klimës së biznesit, si dhe prezantimin e propozim masave që OEMVP ka për komunat përkatëse.
z. Visar Ademi u mirëprit nga U.D. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zekiri dhe Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti, me të cilët u zhvillua diskutim i hapur rreth programit të kandidatit për kryetar komune, si dhe platformën e OEMVP.
Në fjalën e tij, U.D. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, theksoi rëndësinë e partneritetit publiko-privat si faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm në nivel lokal. Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat është parakusht për rritjen e investimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe fuqizimin e ekonomisë lokale, duke theksuar se OEMVP është e përkushtuar të jetë një urë lidhëse midis biznesit dhe pushtetit vendor.
Nga ana e tij, z. Visar Ademi prezantoi programin e tij qeverisës për Komunën e Gostivarit, me rëndësi të veçantë në zhvillimin e ekonomisë, punësimin dhe sipërmarrësinë, arsimin dhe fuqizimin e të rinjve, transparencën e institucioneve, digjitalizimim dhe inovacionet, planifikimin urban dhe infrastrukturën, si dhe trashëgiminë kulturore, turizmin dhe diasporën. Ai vuri theks të veçantë tek nevoja për investime të gjelbra, duke deklaruar se të gjitha projektet kapitale duhet të orientohet drejt përdorimit të paneleve solare dhe burimeve të rinovueshme të energjisë, si rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në vijim, Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, prezantoi pikat kryesore të Platformës për Zhvillim Ekonomik Lokal të RMV-së, duke ndërlidhur diskutimin me shtyllën e parë strategjike të Odës, gjegjësisht sundimin e ligjit, institucione efektive me përgjegjësi fiskale dhe financiare, si nevojë thelbësore për një ekonomi të fuqishme të tregut të lirë. Ndërkaq, potencoi edhe nevojën për reforma në institucionet publike dhe shtetërore, zhvillimin e ekonomisë lokale, infrastrukturën dhe ambientit jetësor, bujqësinë, turizmin veror dhe dimëror, si dhe transparencën dhe llogaridhënien.
Kryetari i Nderit i OEMVP-së, z. Xhemail Dauti, nënvizoi çështjen e decentralizimit të pushtetit, duke theksuar se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, është e domosdoshme të përpilohet një koncept i përbashkët i decentralizimit në bashkëpunim me të gjithë kryetarët e komunave, në mënyrë që të sigurohet funksionim më efikas dhe autonom i pushtetit vendor. Në fund të takimit, u diskutua edhe mbi problematikat e menaxhimit të mbeturinave, ku u potencua nevoja për zgjidhje të qëndrueshme në grumbullimin dhe trajtimin e tyre, si një ndër sfidat kryesore për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mjedisit në komunën e Gostivarit.