02.03.2026, Shkup – Kryesia e OEMVP, e përbërë nga U.D. Kryetari Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv Durim Zeqiri, Kryetari i Nderit Xhemail Dauti dhe Menaxherja Operative Miranda Ajdini, zhvilloi takim me Kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, për të diskutuar mbi ndryshimet e propozuara në Ligjin për Përmbarim, me theks të veçantë tek neni 218, i cili aktualisht është i përfshirë edhe në ENER.
Gjatë diskutimit u theksua nevoja për eliminimin e elementit të favorizimit të ndërmarrjeve publike dhe për vendosjen e mekanizmave të llogaridhënies, në mënyrë që procesi i përmbarimit të jetë më i drejtë dhe transparent për të gjithë aktorët ekonomikë.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, shprehu përkrahjen e tij për iniciativat e OEMVP-së, ndërkaq do të shqyrtohen ndryshimet e propozuara në mënyrë që të promovohen praktikat e barazisë dhe transparencës në sektorin ekonomik.
Takimi theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit për të garantuar një kuadër ligjor të drejtë dhe efikas. OEMVP, si një nga pikat e saj strategjike, ka edhe forcimin e sundimit të ligjit, përmes institucioneve efektive dhe me përgjegjësi të plotë, si një nevojë thelbësore për ndërtimin e një ekonomie të fuqishme.




