Home / Lajmet / Lajmet e fundit / OEMVP në takim me Bankën Popullore – Guvernatori mirëpret propozimet e OEMVP-së për përmirësimin e kushteve financiare

OEMVP në takim me Bankën Popullore – Guvernatori mirëpret propozimet e OEMVP-së për përmirësimin e kushteve financiare

OEMVP në takim me Bankën Popullore – Guvernatori mirëpret propozimet e OEMVP-së për përmirësimin e kushteve financiare

Shkup, 13.08.2025 – Delegacioni i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, i përbërë nga U.D. Kryetari Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv Durim Zekiri, Kryetari i Nderit Xhemail Dauti, Kryetari i Kuvendit Nazmi Ejupi dhe anëtari i Këshillit Drejtues Agron Mustafi, zhvilloi një takim zyrtar me Guvernatorin e Bankës Popullore të RMV-së, Dr. Trajko Slaveski. Në pritje morën pjesë edhe zëvendës-guvernatorët Dr. Fadil Bajrami dhe znj. Emilija Nacevska, si dhe këshilltarja e Guvernatorit.

U.D. Kryetari Nuhi Aliu e uroi Guvernatorin për detyrën e tij të re, duke theksuar se OEMVP mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të hapur, të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me Bankën Popullore, duke pasur parasysh rolin kyç që kjo institucion luan në stabilitetin financiar, zhvillimin e tregut bankar dhe krijimin e kushteve lehtësuese për sektorin privat.

Gjatë takimit, delegacioni i OEMVP-së paraqiti disa propozime konkrete me rëndësi për klimën financiare të biznesit, ndër të cilat:

  • Ulja e normave të interesit të kredive, duke qenë se pa financim të përballueshëm, bizneset e kanë të vështirë të planifikojnë dhe realizojnë investime.
  • Ulja e provizionit për pagesat me POS-terminal, e cila aktualisht është 3%, që paraqet barrë të lartë për kompanitë, dhe me çka stimulohet defiskalizimi;
  • Pranimi i depozitave në fonde investive si kolateral për marrje kredie.
  • Rishikimi i provizioneve bankare, të cilat kanë pësuar rritje të konsiderueshme.
  • Vendosja e kufijve në normat e kësteve të kredive, për të shmangur pasoja të mundshme sociale te qytetarët dhe bizneset.
  • Shqyrtimi i mundësisë për inkuadrimin e një sistemi monetar me dy valuta, me qëllim rritjen e fleksibilitetit në transaksionet monetare, përmirësimin e likuiditetit dhe lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare.

Gjithashtu, u theksuan edhe çështje të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në likuiditetin dhe konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve.

Lidhur me politikën monetare, Guvernatori Dr. Slaveski nënvizoi se Banka Kombëtare po monitoron nga afër zhvillimet ekonomike dhe është e përgatitur të reagojë në mënyrë të përshtatshme me të gjitha instrumentet në dispozicion për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit dhe të çmimeve. Guvernatori, vlerësoi sugjerimet e paraqitura dhe shprehu gatishmërinë për t’i shqyrtuar ato në mënyrë të detajuar, duke konfirmuar që dera për bashkëpunim të mëtejshëm mbetet gjithmonë e hapur.

OEMVP mbetet e angazhuar në përfaqësimin e fuqishëm të interesave të komunitetit të biznesit dhe në zhvillimin e dialogut me institucionet kyçe për një mjedis ekonomik më të qëndrueshëm dhe konkurrues.