Sot, në selinë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore u zhvillua një takim ndërmjet Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Cvetan Tripunovski, dhe përfaqësuesve të OEMVP-së. Në takim u pritën nga U.D. Kryetari z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv z. Durim Zeqiri, si dhe anëtarë të Grupacionit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural pranë OEMVP, të kryesuar nga koordinatori z. Arben Halili.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi i fushatës së Ministrisë e cila synon forcimin e prodhimit bujqësor vendor dhe ngritjen e vetëdijes për cilësinë e produkteve bujqësore të vendit. OEMVP dhe kompanitë anëtare të sektorit e përshëndetën këtë nismë, duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur, përfshirë edhe vendosjen e logos së fushatës në produktet e tyre. Në të njëjtën kohë, ata apeluan që kjo të mos mbetet një iniciativë e përkohshme, por të ketë vazhdimësi afatgjatë, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij sektori për ekonominë kombëtare.
Z. Aliu, vuri në pah nevojën për mbështetje të qëndrueshme institucionale, si dhe për përfshirjen aktive të sektorit privat në hartimin e politikave bujqësore. Nga ana tjetër, anëtarët e Grupacionit ngritën edhe disa çështje me rëndësi, si: zbatimin e plotë dhe adekuat të Ligjit për ndalimin e praktikave jofer tregtare dhe marrjen e masave për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore, si parakusht për suksesin e fushatës.
Drejtori Ekzekutiv z. Zeqiri theksoi nevojën për një qasje strategjike dhe të dokumentuar për mbrojtjen e prodhimeve vendore, duke paralajmëruar se lehtësitë doganore për produkte të huaja që konkurrojnë drejtpërdrejt me ato vendore mund t’i bëjnë ato të fundit jo konkurruese. Ai porencoi se një pjesë e madhe e eksportit të vendit realizohet nga kompani të huaja, veçanërisht nga ato që operojnë në zonat industriale, ndërkohë që edhe prodhuesit vendas duhet të mbështeten dhe të përkrahen në mënyrë të barabartë, nëse synohet zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë.
Nga ana e tij, ministri Tripunovski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e plotë të OEMVP-së, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm për realizimin e objektivave të përbashkëta. Ai theksoi se misioni i fushatës është të rrisë identitetin dhe reputacionin e fermerëve vendor dhe të promovojë prodhimet e tyre cilësore, duke ofruar një platformë më të gjerë edhe për kompanitë që përpunojnë produkte bujqësore vendore.
Takimi u mbyll me konferencë për shtyp dhe dakordim për bashkëpunim të mëtejshëm, në funksion të forcimit të sektorit bujqësor dhe zhvillimit rural si shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së vendit.