U.d. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z.Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv z. Durim Zekiri, anëtarët e Këshillit Drejtues z. Sami Morina dhe z. Agron Mustafa, si dhe menaxherja operative Miranda Ajdini, zhvilluan takim me Drejtoreshën e Drejtorisë të të Ardhurave Publike, znj. Elena Petrova.
Gjatë takimit u ngritën shqetësime konkrete që lidhen me funksionimin praktik të proceseve tatimore. U diskutua për problemet teknike dhe mungesën e efikasitetit në sistemin e dorëzimit të llogarisë përfundimtare, të cilat po vështirësojnë respektimin e afateve ligjore nga kompanitë. Një ndër çështjet kryesore ishte edhe vonesa në kthimin e mjeteve nga TVSH-së, që po ndikon drejtpërdrejt në likuiditetin e bizneseve.
Drejtori Ekzekutiv Durim Zekiri kërkoi informacione shtesë lidhur me kthimin e mjeteve nga tatimi solidar dhe implikimet e tij për bizneset. Përfaqësuesit e OEMVP-së theksuan gjithashtu se, përveç adresimit të sfidave të evidentuara, Drejtoria e të Ardhurave Publike duhet të jetë shembull i disiplinës financiare dhe partner korrekt i biznesit, duke siguruar procese efikase dhe respektim të afateve ligjore.
OEMVP vazhdon të mbrojë interesat e kompanive anëtare, duke kontribuar aktivisht në adresimin e sfidave me të cilat ato përballen dhe në përmirësimin e kushteve për të bërit biznes.




