U.D. Kryetar i OEMVP
Nuhi Aliu ka lindur më 7 maj 1960 në Shkup, Maqedonia e Veriut. Arsimin fillor dhe të mesëm i ka përfunduar në Shkup me rezultate të shkëlqyera, duke u dalluar për përkushtimin dhe aftësitë e tij të hershme akademike. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Prishtinës, ku gjithashtu ka përfunduar me sukses edhe studimet master në drejtimin Financë.
Me mbi dy dekada përvojë në biznes, Nuhi Aliu është një ndër sipërmarrësit shqiptarë më të suksesshëm në Maqedoninë e Veriut, i njohur për vizionin e tij të qartë dhe përkushtimin ndaj zhvillimit ekonomik rajonal. Rruga e tij në sipërmarrje filloi në mesin e viteve ’90 në Shkup, me aktivitetin e parë familjar në tregtinë e materialeve ndërtimore. Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, themeloi degën e parë të “Euro Aktiva 2000” në Ferizaj, duke iu përgjigjur kërkesave të mëdha për rindërtim dhe furnizim me materiale ndërtimore në Kosovën e pasluftës.
Vizioni afatgjatë dhe aftësia për të identifikuar mundësi në treg e shndërruan kompaninë në një nga bizneset më të qëndrueshme dhe me rritje të shpejtë në rajon. Sot, nën drejtimin e tij, Euro Aktiva është zhvilluar në një grup biznesi me prani të gjerë në disa sektorë strategjikë: tregtia dhe përpunimi i hekurit dhe materialeve ndërtimore, furnizimi dhe mirëmbajtja e pompave të karburantit, zhvillimi i projekteve në patundshmëri si banesa, objekte afariste dhe industriale, si dhe sektori i hotelerisë dhe gastronomisë.
Në vitin 2023, kompania hapi Hotelin “Actor” dhe restorantin panoramik “Noas Rooftop”, të cilët ofrojnë një përvojë moderne akomoduese dhe kulinare me pamje unike të qytetit. Euro Aktiva funksionon mbi vlera të forta si besueshmëria, cilësia dhe vizioni afatgjatë, duke krijuar partneritete të qëndrueshme dhe duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik rajonal.
Angazhimi i tij në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore fillon që nga themelimi i saj në vitin 2005. Që nga viti 2011 ka qenë pjesë aktive e strukturave udhëheqëse, ndërsa në vitin 2022 u zgjodh Nënkryetar i Këshillit Drejtues. Në vitin 2025 u emërua Udhëheqës Detyre i Kryetarit të OEMVP, duke vijuar kontributin e tij për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mundësive për bizneset në rajon.
Përveç arritjeve të tij në biznes, Nuhi Aliu njihet gjerësisht për zemërgjerësinë dhe veprimtarinë e tij bamirëse. Për vite me radhë ka mbështetur familje në nevojë me ndihma financiare dhe materiale, ka ndërtuar dhjetëra shtëpi për familje të varfra dhe ka ndihmuar njerëz me probleme serioze shëndetësore, duke mbuluar të gjitha shpenzimet për trajtime mjekësore jashtë vendit.
Për Nuhi Aliun, suksesi i një biznesi nuk matet vetëm me fitim, por edhe me ndikimin që ka në komunitet, duke besuar se sipërmarrja duhet të jetë një forcë e gjallë për zhvillim shoqëror dhe ekonomik.
“Biznesi nuk është vetëm të blesh dhe të shesësh, por të krijosh diçka që lë gjurmë” – është filozofia e tij e pandryshuar.
