Historiku i OEMVP – që nga themelimi
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është institucion joprofitabil i cili u themelua në bazë të ligjit për Odat Ekonomike të Maqedonisë me 01.03.2005 me seli në Tetovë. Për rrethana të ndryshme politike të kohës, njëherë nuk iu dha statusi i Odës Ekonomike, ndërkaq iu imponua edhe emri “Rrethi ekonomik i Maqedonisë Veri-Perëndimore”.
Duke hasur në pengesa që nga fillet e saja, ky institucion, u themelua nga 122 kompani të cilët aso kohe ishin edhe anëtarët e parë të saj, dhe kuvendi themelues i odës u mbajt në hapësirat e Universitetit të Evropës Jug-Lindore, nga ku edhe nisi funksionalizimi dhe strukturimi. Në këtë kuvend, u përzgjodhën kuvendarët, organet dhe Kryetari i parë.
Selia e parë e përkohshme e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore ishte në Tetovë, dhe pas dy viteve funksionimi, ajo u zhvendos në Shkup, si sinjal i shtrirjes së plotë nacionale të veprimtarisë së këtij institucioni, dhe si rezultat, anëtarësia e saj u dyfishua.
Sfidat e udhëheqësisë dhe strukturave të para të Odës, ishin etablimi dhe marrja e trajtimit të denjë nga ana e institucioneve dhe qeverisë, sidomos pranimi i kërkesës së saj që ajo të njihet dhe të pranohet si Odë Ekonomike, në kuadër të ligjit për Odat Ekonomike në Maqedoninë e Veriut.
Përskaj shumë obstruksioneve nga ana e institucioneve dhe qeverisë së asaj kohe, udhëheqësia e odës, gjegjësisht e Rrethit Ekonomik të Maqedonisë Veri-Perëndimore arriti të tejkalojë këtë pengesë, dhe në vitin 2007 nga Rrethi Ekonomik u riemërua në Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Tani biznesi shqiptar por jo vetëm, kishte një institucion ku mund ti adresonte çështjet e saja.
Si qëllimi kryesor ishte që Puna dhe veprimtaria e Odës të i përkushtohet dhënies së ndihmës profesionale anëtarëve të saja gjatë zhvillimit të veprimtarive dhe detyrave të veçanta nga prodhimi, tregtia dhe shërbimet, adoptimi i teknologjive dhe metodave të reja të drejtimit të kompanive, inkurajimin dhe koordinimin e kërkimit dhe zhvillimit të arritjeve teknike teknologjike.
Në kuadër të veprimtarisë së saj, OEMVP përgjatë viteve të ekzistimit deri më sot, la gjurmë të thella për sa i përket krijimit të politikave makroekonomike, realizimin e projekteve të ndryshme për sipërmarrësi, lobim në institucione vendore dhe ndërkombëtare, partneritete të ndryshme me oda ekonomike, asociacione dhe organizata ekonomike, kështu duke e shtrirë ndikimin e sajë edhe më gjërë, dhe duke e bërë një ndër Odat kyçe në vend. Gjithashtu, OEMVP që nga viti 2011 organizon edhe ngjarjen më të madhe ekonomike në rajon, ngjarja “Top 100™”, e cila promovon dhe nxit konkurrueshmërinë, ndërkaq edhe shpërblen ato kompani të cilat kanë arritur sukses përgjatë vitit paraprak. Ky projekt është tradicionalizuar dhe është shndërruar në shenjë dalluese për OEMVP-në, dhe se i njëjti vazhdon të realizohet çdo vit.