Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Vonesat në kthimin e TVSH-së, episodë që përsëritet !

Vonesat në kthimin e TVSH-së, episodë që përsëritet !

Qeveria ka disa muaj që nuk ua kthen TVSH-në firmave që merren me eksport. Në një kohë kur të gjitha aktivitetet e kompanive në Maqedoni janë në ndikim e krizës ekonomike dhe vendi në të gjitha sferat ekonomike shënon rritje negative, problem i madh sipas anëtarit të Këshillit Drejtues të OEMVP-së, Menderes Kuçi, është fakti se në dy vitet e fundit Qeveria nuk i kryen obligimet ndaj firmave vendore, gjegjësisht me muaj nuk u kthen TVSH-në. Pikërisht kthimi i këtyre parave është impuls për kompanitë që planifikojnë investime të reja. “Pikërisht problemi i borxheve ndaj firmave është gjenerator i krizës, ku në masë të madhe merr pjesë qeveria me vetë faktin se nuk po i kryen me rregull obligimet për kthimin e TVSH-së dhe pagesat e mbetura ndaj kompanive që kanë kryer shërbime për Qeverinë. E gjithë kjo ka ngritur shumë dilema tek firmat vendore të vazhdojnë të eksportojnë mallra për arsye se Qeveria kthimin e TVSH-së po e vonon me muaj. Kjo edhe është arsyeja kryesore që për momentin shumë kompani janë të demotivuara që të eksportojnë mallra, gjegjësisht të stimulohet më mjete financiare plotësuese që të jenë prezent në tregun ndërkombëtar kur shteti nuk ua kthen paratë e TVSH-së “, thotë Kuçi. Sipas tij, mos kthimi në kohë i TVSH-së nga ana e Qeverisë është një tregues se janë plotësuar të gjitha kushtet për recesion dhe se është çështje kohe kur Qeveria të del dhe haptazi të pranojë. “Të gjitha statistikat tregojnë se aktivitetet e kompanive janë negative e në anën tjetër dihet mirë se pikërisht rritja ekonomike e një vendi varet nga  aktivitetet zhvillimore të kompanive. Rritja ekonomike është shumë e ulët dhe tani kur kompanitë kanë probleme me likuiditetin, Qeveria edhe më shumë i dëmton ata me moskthimin e TVSH-së. Në vend që Qeveria në kohë krize të ndihmojë firmat, gjegjësisht t’ju kthen në kohë paratë TVSH-së, ajo vazhdon me fenomenin e vjetër t’ju shqipton gjoba firmave të cilën janë vonuar me pagesën e TVSH-së. Pra, të njëjtave firma që nuk u ka kthyer TVSH-në apo ende nuk u ka paguar borxhin për punët që i kanë kryer për Qeverinë”, thotë Kuçi. Ndërkaq Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore, ka alarmuar deri te Ministria e Financave për këtë çështje, por nga atje ende nuk ka marrë përgjigje. “Kompanitë anëtare të OEMVP-së  po ashtu kanë vonesa në kthimin e TVSH-së, 90 % prej tyre nuk u është kthyer TVSH-ja për këtë vit, as në nivel mujor, por as edhe në nivel të kuartalit të parë. Pjesa e mbetur diku 10 % prej tyre në fund të qershorit u është kthyer TVSH për katër muajt e parë të këtij viti, por përsëri jo të gjithën.  Një pjesë e kompanive, nuk kanë dorëzuar kërkesë për kthimin e TVSH-së, sepse konsiderojnë se ajo vlerë nuk luan rol të madh në aktivitetet e kompanisë, për të kompensuar me pas me Tatimin e fitimit. Kryesisht, bëhet fjalë për kompani të vogla, e që kanë vlerë të ulët të TVSH-së.”, thonë nga OEMVP-ja. Mos arkëtimi i TVSH-së ndaj kompanive në kohë, thonë nga OEMVP-ja pengon rrjedhën e planifikuar të aktiviteteve të kompanisë dhe realizimin e projekteve të parapara. “Sigurisht, kjo vështirëson likuiditetin e kompanive si dhe arkëtimin në kohë të detyrimeve, gjë që ul nivelin e reinvestimeve për ngritjen e kapaciteteve brenda kompanisë në formë të zgjerimit të kapaciteteve. Këto vonesa më shumë i prekin kompanitë e mëdha, të cilat eksportojnë dhe jashtë, duke ndikuar negativisht në marrëdhëniet korrekte me partnerët e tyre, shlyerjen e detyrimeve në kohë, arkëtimin dhe ngjashëm”, thonë nga OEMVP-ja.

2