Në takim, përveç kryetarëve të komunave shqiptare, ishin prezent edhe ministri i ekonomisë z. Valon Saraqini, ministri i vetëqeverisjes lokale z. Tahir Hani dhe zv. kryeministri për Çështje Evropiane z. Fatmir Besimi.
Si pikë e parë diskutimi ishte bashkëpunimi që Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka me komunat, për përmirësimin e standardit jetësor të popullatës që jeton në pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë, përmes ngritjes dhe forcimit të institucioneve, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe ato njerëzore si dhe përmes përmirësimit të ambient klimës për biznes.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, kërkoi edhe krijimin e zyrave për përkrahje të bizneseve si aktivitet i përbashkët mes Ministrisë së Ekonomisë, OEMVP-së, Zyrave për zhvillim ekonomik lokal, Qendrave rajonale për zhvillim e tjerë.
Gjithashtu, u diskutua rreth mundësive për realizimin e reformave brenda institucioneve komunale për përgatitje sa më të mirë të standardeve dhe kushteve për zhvillim ekonomik lokal.
Në vazhdim, u prezantua edhe projekti si iniciativë e OEMVP-së me përkrahje të USAID për diasporën dhe nxitjen e investimeve nga jasht, duke kërkuar edhe mbështetjen e komunave për realizimin e të njëjtit, që të na bëjnë të mundur që bashkërisht të bëjmë identifikimin e aktorëve potencial nga diaspora (biznese, klube etj) me të cilët mund të realizojmë këtë proces.
Si pikë tjetër diskutimi ishte edhe shfrytezimi i fondeve te BE-së në rajonin Maqedonise Veri-Perëndimore, duke propozuar përfshierjen e të gjithë aktorëve në fazën e programimit për periudhën 2014-2020 për mbështetje nga BE-ja, duke u krijuar një politikë bazë për shfrytëzimin e IPA fondeve në nivele proporcionale, minimum 25 % nga totali i mjeteve.



