Takim informativ me kandidatët e RDK-së
Në takim ishin prezent kompanitë anëtare të OEMVP-së, të cilët kishin rastin të njoftohen me programën ekonomike të prezantuar nga përfaqësuesit e RDK-së, nga Rufi Osmani dhe Izet Zeqiri, si dhe nga kandidatët për kryetarë të komunave të Kumanovës, Likovës, Çairit, Haraçinës, Zhelinës dhe Tearcës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore, Menderes Kuçi tha se OEMVP është e kënaqur me marrëdhëniet e partneritetit midis biznesit shqiptar dhe politikanëve shqiptarë, dhe se shpreson se kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Do të shpalosin para nesh programin ekonomik, atë se si ata e shohin mënyrën e zhvillimit të rajoneve dhe komunave të tyre, kuptohet gjithmonë në bashkëpunim me odën ekonomike, gjegjësisht me biznesin që operon në këto vende. Më herët kemi pas nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, gjegjësisht një platformë ekonomike në bazë të së cilës edhe zhvillohet bashkëpunimi jonë, në mënyrë që këtë ta operacionalizojmë. Mënyra më e mirë për operacionalizimin e saj është pushteti lokal”, deklaroi Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP-së.
Rufi Osmani, i cili paraprakisht prezantoi gjithë punën e tij që ka bërë si kryetar i deritanishëm i Gostivarit, duke theksuar se pas punës së palodhshme dhe përkushtimit të madh, me bashkëpunëtorët e tij ka arritur që të kthejë borxhin prej 6 milion eurove dhe me këtë të hapen perspektiva të reja për Gostivarin, nëse fiton mandat të dytë, është i bindur se do të realizojë një numër të madh të investimeve dhe do vazhdojë me zhvillimin e Gostivarit.
Kandidati për kryetarë të Tetovës, z. Izet Zeqiri tha se, Tetova është thelluar në një krizë të thellë ekonomike, me një papunësi të lartë dhe pa zhvillime e projekte të së ardhmes, dhe mes tjerash përmendi edhe mosqasjen dhe ndihmën e pushtetit qendror për Tetovën, si një ndër qytetet më të mëdha në Maqedoni. Zeqiri përmendi me theks të veçantë çështjen e ujit të pijshëm dhe ujësjellësit për Tetovën, një projekt akoma i papërfunduar.
Comments are closed.