Takim informativ me kandidatët e BDI-së

  Në këtë takim ishin prezent kandidatët për kryetarë të komunave, ministri i ekonomisë Valon Saraqini, zëvendës kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, si dhe anëtarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.

  Para fillimit të takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore z. Menderes Kuçi, ministri i ekonomisë z. Valon Saraqini dhe kryetari i komunës së Çairit z. Izet Mexhiti, dhane deklaratë për mediat, kurse më pas Bashkimi Demokratik për Integrim ka prezantuar programën e vet ekonomike me projektet që parashihen të realizohen nga kandidatët e kësaj partie për kryetarë komunash.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Menderes Kuçi tha se aktivitetet e këtij lloji në mënyrë origjinale po i bëjnë vetëm me subjektet politike shqiptare, jo se dyert kanë qenë të mbyllura për të tjerët por interesimi fillimisht ka qenë i tyre për një organizim të tillë ku do të kemi shpalosje të programeve ekonomike të secilit subjekt politik veçmas.

  “Ashtu siç kemi bërë edhe në zgjedhjet e kaluara ku shumica e kërkesave të Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore janë pranuar nga ana jonë dhe të njëjtat janë inkorporuar në programin qeveritar të njëjtën po e bëjmë edhe tani në zgjedhjet lokale ku të gjithë kandidatët për kryetar të Komunave do të bëjnë një elaborim dhe prezantim të programit të tyre me të cilin do të paraqiten edhe para elektoratit” tha ministri i ekonomisë, Valon Saraqini.

  Gjithashtu, ministri prezantoi edhe programën ekonomike të Bashkimit Demokratik për Integrim. “BDI, është mund të them lirisht, parti e vetme shqiptare e cila paraqitet me program konkret ku mund të gjeni diku rreth 6000 projekte. Projekte të cilat kanë afat të caktuar, kanë buxhet dhe pjesën se kur duhet realizuar” tha Valon Saraqini.

  Sipas zëvendës kryeministrit për çështje evropiane, Fatmir Besimi, BDI-ja deri më tani në tërësi e ka realizuar programin ekonomik të promovuar më parë, ndërsa për periudhën e ardhshme paralajmëroi një sërë projektesh të cilat kanë filluar dhe që  janë në realizim e sipër.

  Në fund, kandidatët për kryetarë komunash prezantuan programat e tyre dhe çka ato planifikojnë të realizojnë nëse fitojnë mandatin në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sa i përket komunës së Çairit, sipas Izet Mexhitit, kryetar aktual i Çairit, planifikojnë dhe punojnë seriozisht që komuna e Çairit të jetë komuna e parë në qytetin e Shkupit që do të fillojnë procesin e gasifikimit, që njëherësh është edhe komuna e parë shqiptare në regjion, me çka i ndihmojnë drejtpërdrejtë edhe buxhetin e familjeve, por edhe buxhetin e biznesit në përgjithësi.