Reformat në prokurimet publike – heqja e procedurave të panevojshme burokratike

14 Shkurt 2018 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Ministrinë e financave dhe Zyrën për prokurime publike organizuan sot sesion informativ me temë “Reformat në prokurimet publike me theks të veçantë në projekt tekstin të Ligjit për prokurime publike”.

Sesioni informativ u organizua në bashkëpunim edhe me Odën Ekonomike të Maqedonisë, Odën Ekonomike të teknologjisë informative dhe komunikimit (MASIT), Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe EPI Centar Internacional, partnerë në Projektin e USAID: “Partneritet për Rregullativë më të mirë afariste”.

Në këtë sesion informativ prezent ishte Ministri i financave, Dragan Tevdovski, dhe Drejtori i Zyrës për prokurime publike, Gjorgji Georgievski, si dhe përfaqësues të USAID Maqedoni dhe përfaqësues tjerë të institucioneve.

Ministri i Financave, Dragan Tevdovski bëri të ditur se ndryshimet e propozuara të ligjit i referohen heqjes së procedurave të panevojshme burokratike të cilat dërgojnë në uljen e ekonomisë dhe efikasitetit në procedurat e prokurimit publik dhe njëherit rrezikon realizimin e shfrytëzimit efikas të fondeve publike.

 

Gjatë këtij sesioni informativ ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme kishin mundësinë të diskutojnë rreth problemeve që hasin në zbatimin e vetë ligjeve në Republikën e Maqedonisë, si dhe për ndryshimet në rregullativën ligjore në fushën e prokurimeve publike dhe sugjerimet e tyre për përmirësimet e mundshme në këtë drejtim.