Kanë kaluar katër muaj prej se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka dorëzuar deri te Qeveria e Maqedonisë listën e propozimeve për marrjen e masave lehtësuese në drejtim të stabilizimit dhe normalizimit të krizës politike dhe ekonomike në vend, por kjo e fundit akoma nuk është prononcuar nëse të njëjtat pranohen, ose së paku – janë pranuar apo po shqyrtohen
Qeveria e Maqedonisë nuk ka marrë asnjë hap për përmirësimin e gjendjes ekonomike ne vend si pasoje e krizës politike e cila po vazhdon edhe më shumë të ngufatë biznesin vendor. Me këtë rast, për të disatën herë me radhë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) do të dalë me një platformë ekonomike afatgjate, e cila do të jetë e hapur për të gjithë ato subjekte që do ta gjejnë veten brenda saj. Në maj të këtij viti, OEMVP dorëzoi deri të Qeveria një listë me 13 masa që do të ndihmojë komunitetin e biznesit që më lehtë të përballojë dëmet ekonomike si pasojë e krizës politike, megjithëse siç tregon ajo, askush nga Qeveria nuk ka kontaktuar OEMVP-në apo të informojë se sa kërkesa janë pranuar, apo sa të tilla po shqyrtohen. Pas dështimit që të gjitha Odat Ekonomike në Maqedoni bashkë t’i përpilojmë masat mbrojtëse, kundrejt krizës në vend, OEMVP është e dëshpëruar nga deklaratat e Odave tjera që i kanë dorëzuar veç e veç Qeverisë e jo ashtu siç ramë dakord në muajin maj të këtij viti, duke qenë se kërkesat e tyre nuk pasqyrojnë gjendjen reale ekonomike ne vend dhe jo realisht paraqesin interesat e biznesit në vend. OEMVP tentoi që zërin e biznesit ta bashkojë, por duke mos u ndikuar dhe mos mbajtur anë të politikave të caktuara, megjithëse një jave më pas – dy Odat tjera ekonomike nuk ju përmbajtjen kësaj marrëveshje dhe ata dorëzuan veçmas kërkesat e tyre. Ky është një fenomen që vërtetë po ndodh dhe nuk e kemi të qartë se pse Odat Ekonomike hoqën dorë nga kërkesa e përbashkët duke mos dhëne asnjë sqarim se pse morën një hap të këtillë. Tani pas katër muajve, duke filluar nga kërkesa jonë fillestare, gjegjësisht nga alarmi që lëshuam se Qeveria duhet të ndjek me vëmendje alarmin që po lëshon faktori ndërkombëtar, shihet qartë se nuk është duke ndodhur asgjë, për të mos thënë se është përkeqësuar gjendja fillestare. Po ashtu, kërkesa jonë për mosngarkimin e mëtejshëm me borxhe nga jashtë nuk po ndodh. Vazhdon fenomeni ”nga e zbrazëta, në hiq”. Mbase këtu gjetën motiv të mjaftueshëm Odat tjera që po dalin me deklarata veçmas, duke reflektuar anësi dhe përkrahës të këtyre dëmeve ekonomike që i shkaktohen vendit tonë. Sidoqoftë, OEMVP në periudhën e ardhshme do të dalë me një platformë ekonomike afatgjate, e cila do të jetë e hapur për të gjithë ato subjekte që do ta gjejnë veten brenda saj. Vazhdojmë të jemi të hapur për të gjithë ata që e quajnë veten mbrojtës të interesave të biznes-komunitet, gjithmonë me atë që të reflektojnë dhe të detektohen problemet reale të ekonomisë në vend, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të duhura, të pakamufluara, sepse ajo nuk na çon në progres.





