Përfitimet nga ekspertiza gjermane për kompanitë
23 Prill 2018 – Drejtori Ekzekutiv i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Drilon Iseni priti në takim koordinatoren e projektit për ekspertë seniorë për Europën Juglindore Anja Wesely dhe përgjegjësin për këtë projekt Ramadan Abdullai nga Oda ekonomike gjermane në Maqedoni, gjatë të cilit diskutuan shërbimin e ekspertëve seniorë (SES), i cili mbështet ekonomitë e vendeve në transformacion duke dërguar profesionistë dhe menaxherë gjermanë të pensionuar për të ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve dhe dhënien e përvojës së tyre për ndërmarrjet e Maqedonisë.
Ata orientohen kryesisht në kompani të vogla dhe të mesme, institucione publike, bashkësi apo komuna, institucione arsimore dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Ekspertët e SES-it përfaqësojnë mbi 50 sektorë, duke nisur nga elektronika, bujqësia, marketingu, administrata, industria kimike, shëndetësia e deri tek industria mekanike. Këta ekspertë kanë përvojë të gjatë profesionale dhe janë të motivuar ta përcjellin atë tek kompanitë që janë të interesuara të shfrytëzojnë këto shërbime.
OEMVP u bën thirrje të gjitha kompanive që të përfitojnë nga ky dhe projekte tjera me vlerë për aktivitetin e tyre. Për më tepër informacion rreth aplikimit dhe shfrytëzimit të kësaj ekspertize mund të kontaktoni në e-mail info@oemvp.org ose në telefon 02/3239-252.