Për Alfa TV, kryetari i OEMVP-së – z. Menderes Kuçi

            Në intervistën për Alfa TV, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore  tha se mospranimi i Maqedonisë në NATO do të ketë pasoja negative në ekonominë e vendit.

        Mosgjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët me kohë dhe injorimi i situatës, e bënë të pamundshme arritjen e kompromisit me Greqinë, e cila ishte një faktor i rëndësishëm në mospranimin e Maqedonisë në NATO, përkundër lobimit të një shteti të madh si Turqia, i cili nuk u përfill aspak.

       Kryetari z. Menderes Kuçi, tha se Qeveria aktuale e Republikës së Maqedonisë, nuk duhet të kërkojë fajtor jashtë vendit, por duhet një herë të kthehet nga vetja dhe të zgjidhë këtë problem, dhe se nuk pret asnjë investim nga jashtë nëse nuk ndryshohen politikat e Qeverisë aktuale. Sipas tij, gjë në të cilën pajtohen edhe subjektet tjera ekonomike, stabiliteti institucional dhe gjendja e sigurisë janë parësore, duke theksuar se para së gjithash, investitorët e huaj kërkojnë stabilitet.

    Në fund, për të zvogëluar efektet negative, qeveria do të duhet të gjejë mjete dhe mënyra për të stimuluar kompanitë vendore, duke theksuar se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore do të angazhohet të kërkojë nga qeveria edhe stimulimin e investitorëve nga rajoni, si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia e tjerë.