Panairi për punësim sot në Tetovë
Me vendim të Qeverisë dhe në organizim të Agjencisë për punësim, më 14 tetor startoi panairi i parë për punësim në Shkup. Më pas vijoi në Negotinë, Shtip, Ohër , Strumicë, Kumanovë, Manastir dhe panairi i sotëm përmbyllës në Tetovë. Në vendin tonë panaire të këtilla realizohen për herë të parë dhe pritet që të jenë mjaft të dobishme nga më shumë këndvështrime. Personat e papunë apo dhe ato që janë veçse të punësuar patën rastin më nga afër në formë prezantimi apo në formë të shkruar të njihen me atë që ofrojnë kompanitë pjesëmarrëse në panair. Duhet cekur se panairin e karakterizonin profile të ndryshme të kompanive. Prezente ishin kompani që ofrojnë shërbime të ndryshme, ndërmjetësim në biznes, shërbime bankare, duke vijuar më tej me kompani prodhuese apo tregtare/komerciale e kështu me rradhë. Nga ana tjetër punëdhënësit apo kompanitë patën rastin të shohin nga afër se si realisht qëndron situata në vendin tonë, gjegjësisht patën rast të masin pulsin e fuqisë puntore dhe cilësinë së saj.
Hapjen e panarit të sotëm e bëri Ministri për punë dhe politikë sociale z.Dime Spasov dhe Drejtori i Agjencisë për punësim z.Vllatko Popovski.
I pranishëm ishte dhe Kryetari i OEMVP-së, z.Menderes Kuçi, Kryetari i Komunës së Tearcës z.Isen Asani, si dhe zëvendës drejtori i Agjencisë për punësim z. Abdusamed Shabani. Në fjalimin e tij përshëndetës Kryetari Kuçi theksoi rolin e rëndësishëm të organizimeve të këtilla dhe se më në fund u plotësua kërkesa e kahmotshme e anëtarëve të OEMVP-së për mbajtjen e panaireve të këtij lloji, në të cilin ata do të gjejnë kuadrot e duhura për punë.
Gëzon fakti që ky karavan nisi në Shkup dhe po përfundon në Tetovë e jo në Ohër, gjë që jep sinjal pozitiv se kjo do të jep rezultate.
Panairet janë vende ku takohen oferta dhe kërkesa. Kompanitë anëtare kanë nevojë për kuadro profesionale dhe shpresoj se sot këtu do të përcillen interesat e tyre deri te ato që kërkojnë punë – theksoi Kuçi.
Comments are closed.