OEMVP organizoi forumin për rregullativat në sektorin e ndërtimtarisë
14 Nëntor 2017 – Оda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në kuadër të projektit Partneritet për rregullativë më të mirë biznesore sot organizoi forumin me temë: Rregullativat në fushën e planifikimit hapësinor, tokës ndërtimore dhe punimeve ndërtimore, duke i theksuar sfidat në të cilat hasin kompanitë e ndërtimtarisë në vend. Ky është forumi i shtatë me radhë i organizuar nga ky projekt, që ka për qëllim nxitjen e diskutimeve ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve publike mbi çështjet e përbashkëta të pajtueshmërisë ligjore.
Edward Gonzalez, drejtor i Zyrës për Zhvillim të Përgjithshëm, USAID Maqedoni, në panelin e diskutimit komentoi, “Industria e ndërtimit është një sektor kryesor në ekonomi, i cili ka rol të rëndësishëm në rritjen e punësimit dhe për GDP-në e përgjithshme. Megjithatë, kompanitë e ndërtimit përballen me sfida të vështira që ngadalësojnë procesin e marrjes së certifikatave të nevojshme dhe lejeve të punës, të cilat i vonojnë aktivitetet e tyre të përditshme rrisin shpenzimet. Është thelbësore që të gjithë aktorët relevantë të përfshihen në zhvillimin e zgjidhjeve efektive që trajtojnë çështjet rregullatore. Diskutimi i sotëm është një hap në atë drejtim. ”
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore i kushtoi rëndësi sektorit të ndërtimtarisë duke thënë që “Sektori i ndërtimtarisë vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë në Maqedoni, përkundër sfidave ky sektor ka vazhduar të zgjerohet edhe gjatë krizës ekonomike dhe politike në vendin tonë. Ndërtimtaria vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh në sektorin privat, mirëpo mungesa e informacionit ka rezultuar në mos zbatimin e kërkesave ligjore në këtë sektor. Prandaj, OEMVP përmes këtij projekti bën ndërtimin e dialogut konstruktiv me institucionet kompetente me qëllim të përmirësimit të rregullores.”
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugarevski deklaroi që: “Në periudhën e ardhshme është planifikuar analizë e plotë e dispozitave ligjore që rregullojnë sektorin e ndërtimit, në mënyrë që të identifikohen drejtimet në të cilat do të zhvillohen reformat në mënyrë që do të jetë e lehtë e zbatueshme dhe efektive për kompnitë në fushën e ndërtimit. Ministria është e gatshme për bashkëpunim transparent me odat ekonomike që janë përfaqësuese të bizneseve në vend, me qëllim të krijimit të rregullave funksionale që do të ndihmojnë kompanitë të jenë më të harmonizuara. Për momentin, ministria ka bërë analizë në cilët ligje është e nevojshme të bëhet ndërhyrje, por shpresojmë që kjo ngjarje të jetë një mundësi e mirë për të dhënë sugjerime shtesë për përmirësim”.
Drejtori i projektit Ljubomir Dimovski theksoi gjetjet konkrete nga analiza që projekti e zbatoi në periudhën e kaluar: “Në periudhën e kaluar, si pjesë e aktiviteteve të projektit, janë kryer dy analiza që tregojnë qartë nevojën për përmirësimin e këtyre lidhjeve. Sondazhi i fundit i kryer në shtator sugjeron se më shumë se 73% e kompanive të anketuara mendojnë se nuk janë konsultuar në procesin e miratimit të legjislacionit. Rezultatet e tilla nuk kontribuojnë në ndërtimin e një mjedisi më të mirë të biznesit, ku duhet të zhvillohen zgjidhje ligjore në bazë të analizave të duhura, por edhe përvojat dhe opinionet e të gjithë aktorëve”.
Ngjarja mblodhi ekspertë të lëndëve, të cilët paraqitën disa nga shqetësimet me të cilat ballafaqohet industria e ndërtimit. Theks të veçantë ka pasur në dispozitat në Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe Urbanistik, si dhe harmonizimin e planeve urbane të detajuara me Planin e Përgjithshëm Urban, temë që ka ngritur vëmendje të konsiderueshme në nivel kombëtar gjatë viteve të fundit.
Përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Agjencia për Kadastër të Patundshmërive të Republikës së Maqedonisë, qyteti i Shkupit, komunat e tjera të Shkupit dhe institucionet relevante morrën pjesë në këtë aktivitet.
Projekti do të punojë në zgjidhjet konstruktive të propozuara nëpërmjet mekanizmave të dialogut publik-privat të mbështetura përmes Projektit Rregullativë më të mirë Biznesore. Të gjitha aktivitetet e projektit zbatohen nga EPI CENTAR International dhe katër nën-partnerët e saj – Oda Ekonomike e Maqedonisë; Oda për Teknologji Informative dhe të Komunikimit – MASIT; dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore; si dhe Oda tregtisë së Maqedonisë. Përmes pjesëmarrjes aktive në zbatimin e këtij projekti, Odat do të ndërtojnë kapacitetin e tyre për t’i shërbyer më mirë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM).