OEMVP organizoi Forumin Ekonomik – takime me bizneset shqiptare
Shkup, 16 Mars 2016 – Sot u mbajt Forumi ekonomik në mes Maqedonisë dhe Shqipërisë i organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në bashkëpunim me Lidhjen e Odave të Maqedonisë dhe Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri dhe Kosovë.
Në forum morrën pjesë rreth 35 kompani nga Maqedonia dhe mbi 50 kompani nga Shqipëria, të cilët shkëmbyen përvojat dhe kontaktet në mes vete. Sipas bizneseve, impakti i këtij takimi në mes bizneseve mundësoi arritjen e mundësive për të investuar në Shqipëri dhe disa prej kompanive veç më janë të gatshme të investojnë nëse ka kushte për të bërë biznes në vend.
Në panelin e diskutimeve fjalë përshëndetëse mbajtën Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë Ines Muçostepa, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Republikën e Shqipërisë Stojan Karajanov, Ministrja e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë Fatos Reka, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Nebi Hoxha, Drejtori Ekzekutiv i Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë Mitko Aleksov dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka.
Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha, theksoi se pjesëmarrja e 20 top bizneseve nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore konfirmon përcaktimin e Odës që përkrah Shqipërinë, me të cilët do të bisedohet për bashkëpunim konkret me kompanitë vendore. Ai tha se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe në këtë mënyrë i kontribuohet edhe zhvillimit ekonomik të të dy vendeve.
Ai më tej tha se OEMVP vazhdimisht lobon në përmirësimin e infrastrukturës, duke përfshirë këtu Rrugën e Arbërit, Korridorin 8 dhe kalimin kufitar Qafë Thanë. Biznesi nuk njeh bariera, por barierë për ne janë politika dhe politikbërësit, prandaj ne sot jemi këtu që të japim mesazhin tonë drejt lehtësimit të këtyre barrierave tregtare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, si dhe subvencionimin e kompanive të Maqedonisë për shfrytëzimin e portit të Durrësit, me qëllim të rritjes së peshës specifike të portit të Durrësit kundrejt atij të Selanikut.
Gjatë takimit dje me Kryeministrin Rama, ai shprehu vullnetin e tij për të përkrahur investimet e huaja, sidomos ato qe vijnë nga kompanitë shqiptare pa marrë parasysh fushën në të cilën do të bëhej investimi. Ai përmendi se ekziston ligj për investime strategjike dhe ligj për turizmin që është shumë i favorshëm për investuesit nga jashtë, duke theksuar se edhe koha tani është më e lehtë për investime në krahasim me të kaluarën, sepse nuk ka probleme në procedura si më herët.
Në fund, Kryetari Hoxha shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit duke besuar thellë se nga këto takime do të dalin fryte të sukseshme bashkëpunimi të cilat do vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Më pas përfaqësuesit e bizneseve të dy vendeve zhvilluan takime B2B me qëllim krijimin e kontakteve si dhe shkëmbimin e përvojave, që nxisin rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve. “Misioni Ekonomik” do të vazhdojë në Durrës, ku do të pritet nga kryebashkiaku Vangjush Dako, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës Gazmend Shalsi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës Andrea Xhavara si dhe kryetari i Biznes Albania Luan Bregasi. Qëllimi i këtyre takimeve është shtrirja e bashkëpunimit në nivel më të gjerë, si dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim konkret mes bizneseve të dy vendeve.
Comments are closed.