OEMVP nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Biznes Forumin Prizren

22 Maj 2017 –  Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot morri pjesë në hapjen solemne të ndërtesës së Biznes Forumit Prizren. Me qëllim të avancimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, gjatë këtij takimi, Oda nënshkruajti edhe memorandum bashkëpunimi me Biznes Forumin Prizren.

Memorandumi përcjell dëshirën e palëve për të mbështetur, zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin, me qëllim promovimin e interesave ekonomike të të dy vendeve. Gjate nënshkrimit kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha u shpreh se “Dëshira dhe vullneti për bashkëpunim midis dy institucioneve, iniciuar shumë kohë më parë, sot po institucionalizohet nëpërmjet nënshkrimit të këtij Memorandumi, që rikonfirmon edhe njëherë rëndësinë që Oda i kushton forcimit të marrëdhënieve me komunitetet e biznesit shqiptar dhe të huaj, duke i konsideruar ato si promotorë të zhvillimit ekonomik të vendit”.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për të arritur qëllimet tona dhe për të krijuar kushte më të mira edhe për investitorët”, tha kryetari Hoxha.

Të dy palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim, duke përmendur atë se bizneset shqiptare kanë nevojë për mbështetje dhe promovim, me besim të plotë që në të ardhmen do realizohen aktivitete të përbashkëta për interesa të dyanshme.

Nënshkruesit e kanë cilësuar këtë akt si një hap i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes komuniteteve të biznesit të të dyja vendeve dhe janë shprehur të vendosur  për arritje të shpejtë të rezultateve konkrete.

“Kjo sot, është dëshmi se përkushtimi dhe puna gjithmonë sjellin sukses, ndaj ndjehem krenar që jam pjesë e kësaj hapje solemne sot. Ne jemi një vend i vogël dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet për të promovuar mundësitë tona. Në funksion të këtij qëllimi është edhe ky takim i përbashkët. Bashkëpunimi është domosdoshmëri për t’u zgjëruar në tregjet rajonale dhe ate global me qëllim që bashkarisht do të jemi më të fuqishëm dhe më konkurrent”. – tha kryetari Hoxha.