Qendra e Karrierës në Universitetin e Evropës Juglindore organizoi Panairin e Karrierës, hapja e të cilit u bë me fjalimin e rektorit Prof. Dr. Zamir Dika, i cili foli për rëndësinë e kësaj ngjarje për studentët, Universitetin dhe komunitetin e biznesit. Në këtë panair ishte prezent edhe kryetarja e komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi.
Ky panair, paraqet një mundësi të mirë për studentët për t’u takuar me punëdhënësit potencial, ku do të kenë mundësi të diskutojnë rreth mundësive për ‘tu punësuar, për t’u angazhuar si praktikant dhe për të diskutuar rreth përshtatshmërisë së kualifikimeve dhe aftësive të tyre me kërkesat e tregut të punës apo kompanisë në fjalë.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore studentëve ua prezantoi mundësitë për kryerjen e punës praktitke në Odë, si dhe i njohtoi me punën dhe aktivitetet e saj, për të gjithë ata studentë që kishin interes për angazhim në OEMVP.
Këtë vit Panairi i Karrierës organizohet për të nëntën herë dhe ishin të pranishëm mbi 40 kompani dhe organizata nga Maqedonia, të cilët kanë prezantuar aktivitetin e tyre para studentëve, stafit dhe mysafirëve të tjerë.



