OEMVP në Panairin e Karrierës në UEJL

26 Prill 2017 – OEMVP morri pjesë në Panairin e Karrierës i cili organizohet në Universitetin e Evropës Juglindore dhe është kthyer në një traditë të përvitshme, në një moment të komunikimit mes universitetit dhe sipërmarrjeve në vend. Panairin të hapur e shpalli rektori i UEJL, Prof. Dr. Zamir Dika, i cili foli për rëndësinë e kësaj ngjarje për studentët, Universitetin dhe komunitetin e biznesit. Punëdhënësit dhe studentët kishin rastin për të përfituar nga çdo mundësi që ofron ky panair si dhe për të diskutuar rreth mundësive të punësimit dhe angazhimit të studentëve si praktikantë në kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair.

Rruga më e mirë e punësimit është nëpërmjet programit për praktikë. Ndaj OEMVP inkurajon të gjithë studentët të marrin pjesë në këtë formë të arsimit praktik dhe të ndjekin punën praktike në Odë. Panairi i karrierës organizohet me të vetmin qëllim, të krijojë hapësirë për ndërveprim në mes studentëve dhe punëdhënësve, të rrit imazhin e tyre dhe të rekrutojë punëtorë me orar të plotë, orar të shkurtuar dhe për punë praktike. Është kjo një mundësi shumë e mirë për studentët e universitetit dhe punëdhënësit duke u takuar drejt për së drejti në mes tyre. Studentët kanë rast të njohin kërkesat e kompanisë dhe interesat e tyre më për së afërmi përderisa punëdhënësit njihen me kualitetin e studentëve.

Këtë vit ishin pjesëmarrës më shumë se 50  punëdhënës dhe mbi 300 studentë.