OEMVP – Ndryshim i ligjeve që e vështirësojnë punën e afaristëve
02 Shkurt 2018 – Në debatin publik të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, dje ministri Bilen Saliji priti në takim grupet punuese për ndryshimin e Ligjit për Noteriat dhe Ligjit për përmbarim, të përbëra prej përfaqësuesve nga Oda e Avokatëve, Oda e Noterëve, Oda e Përmbaruesve, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Organizimi i këtij debati ishte një ndër mundësitë e rralla ku bizneset në mënyrë direkte shpalosën pakënaqësitë nga ligjet ekzistuese dhe diskutuan të njëjtat para ministrit dhe përfaqësuesve të tjerë qeveritarë.
Propozimet e dhëna për ndryshim të ligjeve që gjatë viteve të kaluara kanë ndikuar në vështirësimin e punës së afaristëve në Republikën e Maqedonisë, si dhe shkurtimi procedurave para organeve ligjore dhe zvogëlimi i shpenzimeve ishin pikat kryesore për të cilat përfaqësuesi i OEMVP-së z.Orhan Shaqiri dha propozimet e veta. Propozimet e Odës janë bërë në bazë të analizave thelbësore dhe krahasimeve me rregullativat ligjore të shteteve fqinje dhe atyre evropiane, me qëllim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe funksionimit të bizneseve në vend, duke u fokusuar në ligjet e reja me të cilat shpenzimet e kompanive janë rritur.
OEMVP si një Odë që ka dhënë numër më të madh të propozimeve për ndryshime ligjore, edhe këtë herë me sukses i shpalosi kërkesat e subjekteve afariste dhe ishte këmbëngulëse në qëndrimin e saj se ligjet ekzistuese nuk ndihmojnë bizneset, duke elaboruar gjendjen faktike përmes sfidave të përditshme afariste.