OEMVP më afër problemeve të komunitetit të biznesit në Kumanovë
10 Prill 2018 – Këtë vit Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore filloi me një aktivitet të ri të quajtur Roadshow i OEMVP-së. Qëllimi i këtij Roadshow është që përfaqësues të OEMVP-së të takohen me kompanitë anëtare dhe të jenë sa më afër bizneseve për të parë problemet që hasin gjatë veprimtarisë së tyre dhe prezantimin e shërbimeve të ndryshme të cilat Oda i ofron.
Gjatë takimeve sot me kompanitë e Kumanovës siç janë Demir Impeks, Lami Form, Keramika Elegant, City Beton dhe Ritron Copy u prezantuan informacione shumë të rëndësishme lidhur me punën, funksionin dhe rolin e Odës në zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve në Republikën e Maqedonisë dhe më gjerë.
Në takim drejtori ekzekutiv Drilon Iseni tha se është ngritur sektor i veçantë në Odë i cili do të marrë e trajtojë të gjitha problemet, ankesat dhe kërkesat e biznesit. Ky desk i Odës do të shërbejë edhe për informimin në kohë reale të problemeve që mund ti dalin çdo sipërmarrësi në raport me shtetin, administratën doganore dhe tatimore.
Në Kumanovë bizneset përballen me barriera të shumta të cilat jo rrallë herë ua pamundësojnë atyre pjesëmarrjen aktive në treg. Barriera që lidhen me burimet financiare, zhvillimin e zonës industriale ekonomike të këtij rajoni, mosshlyerja e obligimeve nga ana e personave juridik dhe fizik, inspekcionet e ndryshme e tjera, si dhe me edukimin profesional të stafit të cilat vështirësojnë realizimin e iniciativave që mund të kenë për të zgjeruar biznesin e tyre.
Takimet e radhës në kuadër të Roadshow, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do të vazhdojë në qytetin e Tetovës.