Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore realizoi punëtori për kompanitë anëtare me temë “Zinxhiri i furnizimit, digjitalizimi dhe sjellja e konsumatorëve”
15.08.2024, Shkup – Në kuadër të Qendrës së Trajnimeve të OEMVP, në bashkëpunim me kompaninë anëtare Insider ID u organizua punëtori me temë – “Zinxhiri i furnizimit, digjitalizimi dhe sjellja e konsumatorëve”, projekt i mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Temat të cilat u trajtuan gjatë punëtorisë ishin: Indikatorët gjeneral të tregut për konsumin e gjerë, sjellja e konsumatorëve dhe ndikimi i tyre në lidhje me biznes modelin, brendimi dhe besnikëria e konsumatorëve, digjitalizimi, si dhe vendimet e bazuara në të dhëna.
Qëllimi i punëtorisë është të pajisë pjesëmarrësit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të zbatuar dhe përdorur në mënyrë efektive teknologjitë digjitale brenda zinxhirit të furnizimit, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin operativ.
Gjithashtu, kjo punëtori do ju mundësojë pjesëmarrësve prej kompanive anëtare aftësi dhe kapacitete të përforcuara për të zbatuar strategji digjitale që rrisin efikasitetin e zinxhirit të furnizimit, përmirësojnë reagimin ndaj kërkesave të konsumatorëve dhe nxisin një rrjet më të shkathët dhe elastik të zinxhirit të furnizimit që përputhet me nevojat në zhvillim të tregut.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdimisht kontribuon në ngritjen e kapaciteteve dhe në avancimin e kompanive anëtare, duke ofruar trajnime sipas planit vjetor të Odës, si dhe sipas kërkesave të kompanive anëtare. Për më tepër, OEMVP mundohet të krijojë ambient të përshtatshëm për të bërë biznes, duke u ofruar mundësi që të përfitojnë nga njohuritë dhe praktikat më të mira për të qëndruar konkurruese në një treg gjithnjë e më dinamik.