Mungesa e infrastrukturës dhe kushteve elementare në vendet rurale pengesë për zhvillimin e bizneve të vogla
27 Prill 2017 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot mblodhi bizneset e qytetit të Shkupit, me të cilët diskutoi problemet e ndryshme që i shqetësojnë ato, veçanërisht bizneset e vogla që si vështirësitë kryesore kanë konkurrencën nga kompanitë e mëdha që nuk lejojnë që bizneset më të vogla të futen në treg. OEMVP beson që në Maqedoni ka potencial për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe për këtë arsye mundohet që sipërmarrësve të vegjël dhe të mëdhenj t’iu ndihmojë që prodhimet e tyre të depërtojnë dalëngadalë në tregje ende më të mëdha.
OEMVP ndërmarrjet e vogla dhe të mesme i sheh si gjenerator të zhvillimit ekonomik prandaj dhe mundohet të njihet me problematikat e tyre për të parë çdo mundësi të përmirësimit të klimës për bizneset të cilat i përfaqëson. Oda synon të promovojë klimë pozitive të biznesit, duke mbrojtur interesat e biznesit në përgjithësi, me theks të veçantë në bizneset të udhëhequra nga grate. Mungesa e kuadrove profesionale në veprimtari të ndryshme, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë është një ndër temat që u diskutua si problematike në këtë rajon, por edhe mungesa e infrastrukturës dhe kushteve elementare në vendet rurale shihet si një ndër pengesat për zhvillimin e bizneve të vogla në rajonin e Shkupit, veçanërisht në pjesën e Vizbegut.
Kompanitë pjesëmarrëse në takim propozuan ndryshimet e nevojshme të rregullativës ligjore, për ta lehtësuar bërjen e biznesit, për të krijuar një konkurrencë të mirëfilltë, pa marrë parasysh madhësinë e bizneseve, fuqinë e tyre ekonomike ose fushat apo degët në të cilat ato veprojnë.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore edhe në strategjinë e saj ka paraqitur vizionin për orientimin zhvillimor në fusha të ndryshme, sidomos në atë të ekonomisë në vitet e ardhshme, dhe konsideron se me qëllim të realizimit të kësaj strategjie, është e nevojshme që të bashkëpunojnë të gjithë, dhe të bëhen pjesëmarrës aktiv të zhvillimit të vendit.
Me këto takime OEMVP do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, në mënyrë që t’i diskutojmë çështjet që kompanitë konsiderojnë se duhet të zgjidhim dhe të cilat janë pengesë ose të cilat duhet të bëhen pastaj faktorë shtytës të zhvillimit ekonomik.
Takimi i radhës me bizneset do të vazhdojë në Manastir më datë 03 Maj 2017 (E mërkurë).