Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë ato!

26 Nëntor 2017 – Dje në Prishtinë, nga ana e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në bashkëpunim me projektin e USAID-it EMPOWER u organizua darka Gala biznesore, e cila ishte nisma e Forumit ekonomik të Diasporës Shqiptare,  ku morrën pjesë edhe delegacioni i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore në krye me kryetarin z.Nebi Hoxha.
Pjesë e këtij forumi dje dhe sot janë rreth 300 biznese dhe investitorë potencialë nga diaspora, si dhe shumë biznese nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, dhe rreth 100 biznese nga Kosova.

Forumi dy-ditor ofron një mundësi unike për lidhjen e bizneseve të Kosovës me bizneset e diasporës shqiptare. Përmes takimeve strategjike mes bizneseve vendore me ato të diaspores do të krijohen kontakte të reja dhe marrëveshje të mundshme për eksport.

Dita e parë e forumit dje përfshiu një darkë gala biznesi dhe ekspozitë nga prodhuesit kosovarë. Në ditën e dytë të forumit sot mbahen takime mes bizneseve (B2B) dhe prezantime të ideve për investime të përbashkëta të bizneseve shqiptare.

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare funksionon në 25 shtete të botës dhe ka të anëtarësuar qindra biznesmenë shqiptarë që udhëheqin biznese në shumë vende të botës.