Kryetari i OEMVP bën thirrje për zvogëlimin e ekonomisë gri dhe zgjidhjen e problemit të fuqisë punëtorë, si parakusht për integrimet evropianе

Kryetari i OEMVP-së me ftesë të Ministrit të Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr. Fatmir Besimi, ishte panelist në Konferencën e tretë vjetore ndërkombëtare me titull “Integrimi evropian dhe prosperiteti ekonomik” (“Evropa – po, Evropa – tani”), e cila u zhvillua nën patronazhin e Forumit Ekonomik dhe Financiar të Shkupit, FEFSH 2023.                                                                Në këtë Konferencë ishin prezent përfaqësues të qeverive nga vendi dhe rajoni, diplomatë, përfaqësues të sektorit të biznesit, etj.

Kryetari Qyra, ishte prezent në panelin e katërt me temë ‘’TRENDET GLOBALE DHE MUNDËSITË AFARISTE,, i cili shprehi se qëndrimi i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore është që duhet ti jepet prioritet sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Një prej pikave strategjike të OEMVP-së është formalizimi i ekonomisë gri, si bosht kyç që ndihmon në përgatitjen dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në Unionin Evropian si dhe që ndihmon në krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme, konkurruese dhe të drejtë për të gjithë qytetarët dhe bizneset në vend, e cila sipas raporteve të fundit, lë shumë për të dëshiruar.
Ndër të tjera ai potencoi që ndër problemet kyçe me të cilat ballafaqohemi si shtet dhe që oda vazhdimisht ka ngritur zërin është fuqia punëtore, e cila paraqet themelin e çdo ekonomie pavarësisht nivelit teknologjik të industrisë apo të digjitalizimit.
“Norma e larta e korrupsionit, efikasitet shumë i ulët i institucioneve të cilat nuk po dëshmojnë kapacitete edhe për realizmin e investimeve kapitale, ndërkaq, politikisht, synojmë të arrijmë anëtarësimin në BE, që na bën të dukemi edhe më paradoxal se ç’jemi” – theksoi kryetari Qyra.
Mirëpo, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të ndjeshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe ne si Odë jemi angazhuar për të mbështetur bizneset në vendin tonë drejt këtij rrugëtimi transformues.